Ne dëgjojmë një seri ankesash kur vizitojmë pacientët 4-5 javë pas operacionit.
Një prej tyre është mungesa e oreksit. Pothuajse te të gjithë pacientët me ecuri normale, oreksi vjen normalisht, tre deri në tetë javë pas operacionit.
Në rast se kanë qenë mbi peshë përpara operacionit, këshillohet të mbahet dietë dhe normalisht për këtë kërkohet vizita tek dietologu, i cili duhet të aplikojë edhe dieta të veçanta të rekomanduara nga kardiologu.
Një problem tjetër shumë i zakonshëm për këta pacientë është mungesa e gjumit. Një gjë e tillë nuk arrin të ketë një shpjegim të saktë, por një nga arsyet mund të jenë dhimbjet.
Në raste të tjera mund të shkaktohet edhe nga fakti që duke kaluar ditë të tëra në sallë të operacionit, terapisë intensive, përdorimit të shumë ilaçeve anesteziologjike etj.
Shumica e pacientëve kthehen në një gjumë normal 5-7 javë pas interventit.
Pacientë të tjerë ankohen për djersë gjatë natës. Normalisht ky problem zgjidhet vetë, megjithëse në raste të caktuara është indikator për probleme më serioze në rast se shoqërohet me temperaturë.
Megjithatë në shumicën e pacientëve është një efekt lateral i kardiokirurgjisë dhe i kirurgjisë madhore në përgjithësi.
Një gjendje të mpiri është një ankesë tjetër dhe normalisht është e lokalizuar në anën e majtë të kraharorit te shumica e pacientëve në të cilët është përdorur arteria e majtë, në disa të tjerë ndihet në këmbë ku është marrë vena, veçanërisht rreth zonës së gjurit.
Normalisht ky problem zgjidhet brenda dy muajve pas operacionit.
Disa pacientë të tjerë kanë mpirje në gishtin e vogël dhe gishtin tjetër ngjitur me njërën dorë ose në të dyja duart. Ky problem zgjidhet brenda 6-8 javësh pas operacionit.
Ndonjëherë pacientët ankohen se syzet e tyre janë të zhvendosura nga fokusi i mëparshëm. Ky është një problem i lidhur me të gjitha tipet e kirurgjisë madhore.
Oftalmologët normalisht preferojnë që të kalojnë dy muaj pas operacionit, pasi mendojnë që është një problem kalimtar dhe shumica e këtyre pacientëve kanë një normalizim të shikimit duke mos pasur nevojë për ndryshim të numrit të syzeve të tyre.
Shumë pacientë vijnë në operacion me një listë me ilaçe antipertensive dhe shkojnë në shtëpi me shumë më pak ilaçe për uljen e presionit të gjakut ose edhe pa një terapi të tillë.
Megjithatë një muaj më vonë ata do të kenë nevojë përsëri për terapinë e tyre të mëparshme. Kur ata fillojnë aktivitetin e tyre, atëherë presioni i gjakut rritet dhe ata kanë nevojë për ilaçet që merrnin përpara interventit.
Kjo shpjegon se pse këta pacientë nuk kanë nevojë për këto ilaçe menjëherë pas interventit.
Pacientët me diabet, normalisht shkojnë në shtëpi me një terapi të re të përdorimit të insulinës pasi i janë nënshtruar interventit.
Ndonjëherë pacientët diabetikë që marrin preparate nga goja për të mbajtur sheqerin në gjak në nivele të pranueshme dhe nuk kanë nevojë për insulinë, mund të dalin nga spitali dhe të kenë nevojë për insulinë, por mund të ndodhë edhe e kundërta.
Në përgjithësi, 5-7 javë pas operacionit këta pacientë shkojnë drejt terapive që merrnin përpara interventit.
Shumica e pacientëve referojnë që kur shtrihen në krahun e majtë ndjejnë zemrën që rreh shumë shpejt dhe shumë më fortë sesa përpara interventit dhe mendojnë që kjo është e rrezikshme.
Kjo ankesë e zakonshme ndodh për shkak se zemra formon disa aderenca pas interventit që janë pjesë e procesit të shërimit të plagëve dhe ndodhet më pranë kafazit të kraharorit duke i transmetuar më shpejt dhe më fort rrahjet e saj.
Me kohë, shumica e këtij indi të ri që formohet ndodhet nën tension dhe zemra fillon të mos të ndjehet aq fort kur rreh.
Disa pacientë mund të ankohen për prezencën e një të fryre përpara në gjoks, mbi kockën e përparme të kraharorit ose sternumin.
Në rast se kjo fryrje është e kuqe, mund të sinjalizojë një infeksion të mundshëm, por në shumicën e rasteve është thjesht një depozitim i indit të nënlëkurës dhe yndyrnave që nuk i mban mirë penjtë dhe ka konsistencën dhe ngjyrën e djathit të shkrirë.
Me kohë, këto kthehen në gjendje normale.
Fatmirësisht ekziston një ulje e vazhdueshme e vdekshmërisë pas interventit të bypasit aorto-koronar në këto dhjetë vjetët e fundit.
Kjo mbase për shkak të një numri faktorësh sikurse një edukim më i mirë i publikut mbi dietën, duhanin, dhe në disa raste edhe stilit të jetesës.