MENU
klinika

Pretendimet e KLSH

Shteti me “bilanc të rremë”?

21.10.2018 - 11:17

Konfindustria shpreh shqetësimin për shkallën e vërtetësisë të të dhënave makroekonomike, fiskale dhe financiare të prodhuara nga institucionet e shtetit shqiptar. Rasti i fundit i përplasjes ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për nivelin e borxhit publik, është shprehja më e qartë e dyshimeve serioze për saktësinë e tabelave ekonomike dhe financiare zyrtare shqiptare.

Konfindustria vlerëson, se ekzekutivi duhet të shprehet publikisht lidhur me pretendimin zyrtar të KLSH, se borxhi publik i vendit për vitin 2017 është në nivelin e 72% i PPB ose 2.1% më i lartë sesa deklarimi zyrtar prej 69.9% i qeverisë.

Sipas KLSH-së janë mbi 240 milionë detyrime financiare të padeklaruara dhe të pashlyera, që shteti shqiptar ka ndaj të tretëve, biznese dhe individë. Shpjegimi i qartë dhe përfundimtar është detyrim jo vetëm para qytetarëve dhe biznesit shqiptar, por edhe para investitorëve dhe agjencive ndërkombëtare.

Me emetimin e rradhës së eurobondit të qeverisë shqiptare Shqipëria kërkon të jetë pjesë e përhershme e tregjeve ndërkombëtare financiare. Çdo deklarim i pasaktë, aq më shumë i qëllimshëm i rremë i treguesve makroekonomikë të vendit do të kishte pasoja të rënda në afatgjatë dhe do të pasqyrohej në humbjen e besueshmërisë të investitorëve, penalitete, deri në përjashtimin e Shqipërisë nga tregjet financiare botërore. Rasti i Greqisë është ende shumë i freskët. 

Konfindustria vlerëson, se prej një kohe të gjatë dhe në vazhdimësi ka patur dyshime për shkallën e vërtetësisë të tabelave fiskale, financiare dhe ekonomike të prodhuara nga agjencitë shtetërore shqiptare. Shkalla e vërtetësisë së tabelave nga institucionet përgjegjëse është ndikuar në vazhdimësi nga mundësitë objektive, shkalla e profesionalizmit, por edhe nga ndikimi politik për përfitime zgjedhore.

Përgjegjësia e prodhimit të statistikave zyrtare të sakta dhe mbi të gjitha shmangia e spekullimeve, rritet shumë sot, kur Shqipëria ka emetuar në mënyrë të përsëritur eurobondin në tregjet financiare ndërkombëtare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN