MENU
klinika

Mbrojtja e fëmijëve

Si duhet të veprojmë kur fëmija ka reaksion nga vaksina?

16.10.2018 - 13:20

Shumica e fëmijëve që kanë patur reagime të lehta deri në të moderuara ndaj një vaksine, mund të marrin në mënyrë të sigurtë vaksinat shtesë ose booster-përforcuese, sugjeron një hulumtim i ri.

Shkencëtarët kanadezë zbuluan se ka një shkallë të ulët të reaksioneve të përsëritura pas vaksinimeve të mëvonshme. Ata thanë se këto gjetje duhet të ndihmojnë që të informojnë mjekët dhe prindërit për sigurinë e imunizimit.

“Shumica e pacientëve me një histori të reaksioneve të lehta ose të moderuara të padëshiruara pas vaksinimit mund të ri-imunizohen në mënyrë të sigurt”, tha kreu i studimit, Dr. Gaston De Serres, nga Universiteti Laval në Quebec.

Në Shtetet e Bashkuara, profesionistëve të kujdesit shëndetësor u kërkohet ligjërisht të raportojnë reagimet ndaj imunizimit. Quebec ka një sistem të ngjashëm raportimi për “reaksione nga vaksinat” të pazakonshme ose të rënda.

Për studimin, De Serres dhe kolegët analizuan nga viti 1998 deri në vitin 2016, të dhënat për 5.600 pacientë kanadezë.

Të gjitha dozat e nevojshme shtesë të një vaksine u shkaktonin atyre reaksione të lehta ose të moderuara. Studiuesit vunë në dukje se vaksinat e gripit sezonal nuk ishin përfshirë në studim, pasi që kjo vaksinë ndryshon nga viti në vit.

Mes fëmijëve të lindur në vitin 2015, 1.3 përqind nuk kishin marrë asnjë nga vaksinimet e rekomanduara, sipas një analize të të dhënave të vitit 2017, raportoi Washington Post. Kjo krahasohet me 0.9 përqind në vitin 2011 dhe 0.3 përqind nga 19 deri në 35 muaj në vitin 2001.

Nëse e njëjta përqindje e fëmijëve të lindur në vitin 2016 nuk kanë marrë ndonjë vaksinim, rreth 100,000 fëmijë të cilët tani janë më pak se 2 vjeç nuk janë të mbrojtur nga 14 sëmundje që mund të parandalohen nga vaksina, thekson Amanda Cohn, pediatre dhe këshilltare e CDC për aplikimin e vaksinave.

Edhe pse ky numër është vetëm një pjesë e vogël e rreth 8 milion fëmijëve të lindur në dy vitet e fundit që po vaksinohen, trendi është shqetësues, thonë zyrtarët e shëndetësisë publike.

“Kjo është diçka për të cilën jemi të shqetësuar,” tha Cohn për Washington Post.

“Ne e dimë se ka prindër që zgjedhin të mos vaksinojnë fëmijët e tyre, duke ekspozuar ata ndaj shumë sëmundjeve madje edhe vdekjeprurëse.”