MENU
klinika

Etika mjekësore

“S’mungojnë mjekët, por mjekësia!”

17.10.2018 - 19:47

Monteskiëja (Montesquieu), në kohën e tij, shkruante:

“Nuk janë mjekët që na mungojnë, por është mjekësia që na mungon”, kurse G. Lazarrthes, mjek neurokirurg i ditëve të sotme në Francë, shkruan:

“Nuk është mjekësia që na mungon, por na mungojnë mjekët e vërtetë.”

Mjeku dhe personeli tjetër mjekësor janë qytetarë si të tjerët, që u nënshtrohen jetës dhe detyrave si gjithë të tjerët.

Profesioni i mjekut nuk i jep asnjë privilegj në krahasim me profesionet e tjera, madje shpesh ndodh e kundërta.

Ai ushtron një profesion (mision) që është i pakrahasueshëm me të tjerët.

Etika mjekësore është shpeshherë më kërkuese, se ajo që kanë mundur të përcaktojnë kodet juridike.

Mjekësia plotëson tri ndjenjat e lumturisë njerëzore që, sipas filozofëve, ka mundësinë t’i realizojë: të veprojë, të kuptojë, të ndiejë.

Ajo vepron për jetën dhe kundër vdekjes. Mjekësia përpiqet të kuptojë enigmat e botës. Ajo merr pjesë në fatkeqësi, por kjo është dobësia dhe madhështia e saj.

Në ditët tona nuk është e rrallë që mjekët të çohen para gjykatave.

Mjekësia nuk do të jetë asnjëherë një shkencë absolute dhe definitive, sepse, jo vetëm, si në shumë shkenca, dija ka pasiguri dhe hipoteza, por arritjet e fituara gjithmonë mund të vihen në pikëpyetje dhe çdo zbulim nuk bën gjë tjetër, veçse spraps të panjohurën.

Nëse mjekësia do të ishte një shkencë e sigurt, që do të siguronte në çdo rast të veçantë një zgjedhje teknikisht të sigurt, mjeku do të reduktohej në rolin e ekzekutuesit, që u nënshtrohet formulave të imponuara.

Por nuk është kështu, mjekësia njeh vetëm raste të veçanta dhe zgjidhje të mundshme.

Do të ishte gabim trashanik nëse do të kishim një konceptim thjesht mekanik të mjekësisë. Arsyetimi i mjekut, që punon me njeriun e gjallë, është shumë i ndryshëm nga ai i inxhinierit me ligjet e përllogaritjet e tij.

Një veprim mjekësor, në rast se do të krahasohej me veprimet e një tekniku, do të mbetej i zhveshur nga çdo ndenjë njerëzore dhe do të humbiste aftësinë vepruese të tij në qoftë se nuk do t’i bashkohej një përbërës afektiv.

Nuk mjafton të qetësosh ose të shërosh me një bar, ose me një operacion, por mjeku duhet të hyjë në komunikim me të sëmurin dhe të frymëzojë besimin tek ai.

Këtë gjë mjeku e realizon kur i përmbahet trekëndëshit të famshëm; komunikim-afeksion-realitet, ku baza e trekëndëshit është komunikimi.

Kohët e fundit, imazhi i mjekut apo i personelit mjekësor ka zënë një vend të veçantë si në literaturën shkencore, ashtu dhe në letërsinë artistike e në kinematografi.

Zhvillimi i shkencës së mjekësisë dhe ndryshimet ekonomike e shoqërore në epokën e shekullin XXI çojnë në modifikimin e ushtrimit të parimeve bazë të mjekësisë tradicionale.

Në shekullin XXI përvoja e grumbulluar gjatë viteve të praktikës nuk mjafton.

Mjeku, që ka bërë tezën e doktoraturës para 20-25 vjetësh, sot është i tejkaluar, midis asaj që dinte në fund të studimeve të tij dhe asaj që duhet të dijë në ditët e sotme, pra, ekziston një ndryshim i madh.

Mjeku i shekullit XXI, i kënaqur vetëm me njohuritë, barnat dhe teknikat që ka mësuar në Fakultetin e Mjekësisë, do të jetë si “ushtari që shkon sot në frontin e luftës me hark e shigjeta”.

Pyetje: “Kush do të quhet një mjek i mirë?”.

Përgjigje: “Mjeku ideal duhet të jetë i shëndoshë nga mendja dhe nga trupi, i zgjuar dhe i pajisur me gjykim të shëndoshë, i ditur, besnik, të mos shtyhet nga interesi, të ketë informacion të përditshëm me të rejat shkencore dhe mbi të gjitha të jetë njerëzor…”

Çelësi i suksesit: Mjeku është student gjatë gjithë jetës së tij.

 

(Marrë nga libri “Historia e Mjekësisë”, përgatitur nga Prof. Andrea Gudha)