MENU
klinika

Reagon MPJ

Sulmohet një autobus nga Kosova në Serbi

30.10.2018 - 15:03

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar ndaj sulmit të mbrëmshëm një autobusi me udhëtarë kosovarë në Krushevc të Serbisë dhe i bën thirrje Beogradit zyrtar të zbardhë sa më shpejt rrethanat dhe të sjellë para drejtësisë kryerësit e kësaj vepre.

MPJ me këtë rast shpreh shqetësimin e arsyeshëm për përsëritjen dhe shpeshtimin e rasteve tashmë të kthyer në dukuri të pengesave sistematike-burokratike dhe sulmeve më të vrazhda fizike ndaj mjeteve të transportit të Republikës së Kosovës dhe shtetasve të saj, të cilët po e shfrytëzojnë territorin e shtetit të Serbisë si kalim transit për në shtete të tjera të Evropës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës vlerëson se veprimet e tilla, të cilat krijojnë maltretime të udhëtarëve, qofshin ato në Serbi apo Kosovë duhet të dënohen rreptësisht.

Pengimi i automjeteve dhe gjuajtja e tyre me gjëra të ngurta rrezikojnë jetën e udhëtarëve. Presim, që organet e rendit, në këtë rast, në Serbi do të marrin masa sipas Ligjit kundër autorëve të këtij delikti. Shtetasit e Republikës së Kosovës si ata të Serbisë duhet të lëvizin lirshëm, pa frikë, kudo qofshin ata”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Duke përkujtuar se lëvizja e lirë e pa pengesë është parim themelor i BE-së dhe përkushtim i deklaruar institucional nga përfaqësuesit e shtetit fqinj për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane, MPJ i bën thirrje edhe përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetëse në dialogun në mes dy shteteve që t’i kërkojë Serbisë respektimin e lirisë së lëvizjes.

Ndryshe, një autobus nga Kosova është sulmuar me gurë në mbrëmjen e së hënës në Krushevc të Serbisë, me ç’rast është thyer xhami i tij i përparmë. /Konica.al/