Hashim Thaçi e cilësoi çështjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si mashtrimin më të madh në vend, që po i kushton shtrenjtë buxhetit të shtetit.
“Shembull eklatant është çështja e veteranëve të UÇK-së. Ne të gjithë duhet ta inkurajojmë sistemin e drejtësisë që kësaj çështje t’i shkoj deri në fund me një transparencë dhe përgjegjësi të plotë. E vërteta është mese e qartë; nuk ka pasur më shumë se 12 mijë apo 15 mijë luftëtarë me armë dhe uniformë, ndërsa të tjerët janë vetëm mashtrime”, u shpreh presidenti Thaçi.
Presidenti i Kosovës i bëri këto koment bëri në çeljen e konferencës rajonale kundër korrupsionit. Thaçi i bëri thirrje politikanëve që të mos ushtrojnë trysni dhe ndikim ndaj sistemit të drejtësisë për çështjen e listave të veteranëve të UÇK-së.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës ka ngritur aktakuza ndaj 12 personave nën dyshimin për veprën penale “të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas saj, nga mashtrimet me listën e veteranëve, buxheti i shtetit është dëmtuar me më shumë se 68 milionë euro për një vit e gjysmë prej që ka filluar ndarja e pensioneve.
Prokuroria kërkoi që gjykata t’ia ndalojë menjëherë pagesat veteranëve të rremë, ndërsa i ka dërguar emrat e mbi 20.000 personave që konsiderohen si të tillë.