Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se nuk do të ketë dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë në vizitën që do të bëjë në shtetin francez në muajin nëntor, me ftesë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Thaçi, gjithashtu u shpreh se në Paris do të jetë një mundësi shumë e mirë e promovimit të shtetit të Kosovës dhe se Kosova do të marrë pjesë në një nivel të barabartë sikur shtetet tjera të botës.
“Është një nder dhe kënaqësi e veçantë që shteti i Kosovës është i ftuar në konferencën ndërkombëtare të paqes me rastin e 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore në një ceremoni të nivelit më të lartë botërorë, ku do të marrin pjesë liderët e botës dhe më të fuqishmëve. Natyrisht që Kosova do të merr pjesë në një nivel të barabartë sikur të tjerët është një mundësi shumë e mirë e promovimit të shtetit të Kosovës dhe prej vendeve e liderëve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo mundësi duhet dhe do të shfrytëzohet maksimalisht. Ndërsa sa i përket temave tjera unë do të marr pjesë në çdo ceremoni, me mesazh të paqes. Atje nuk do të ketë dialog Kosovë-Serbi, por afirmim të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ai po ashtu ftoi spektrin politik pa dallim pozitë-opozitë që ta tejkalojnë ngërçin politik dhe institucional, në mënyrë që t’i hapet perspektivë vendit.
“Presidenti do t’i kryejë punët e veta. Ndërsa ftoj spektrin politik që t’i marr punët e veta që iu takojnë me përgjegjësi shtetërore me platformë dhe axhendë të përbashkët shtetërore”, theksoi Thaçi.
Presidenti Thaçi do të marr pjesë në manifestimin e përvjetorit të 100-të të armëpushimit, i nënshkruar mes Forcave Aleate dhe Gjermanisë për përfundimin e Luftës së Parë Botërore në Frontin Perëndimor, i cili do të mbahet më 11 nëntor, në Paris.