Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka vendosur që në vazhdim operatorët celularë në Shqipëri do të kenë detyrimin e mosdiskriminimit në përcaktimin e tarifave ndërkombëtare hyrëse me shumicë. Kjo do të thotë se ata nuk mund të aplikojnë kushte preferenciale për disa operatorë të huaj dhe kushte diskriminuese për disa të tjerë. Kjo vlen sidomos për operatorët si Vodafone Albania dhe Telekom Albania, që janë pjesë e grupeve të biznesit me shtrirje në shumë vende.
Aktualisht, tarifa e terminimit të thirrjeve ndërkombëtare është rreth 26 herë më e lartë krahasuar me thirrjet kombëtare. Nëse tarifa me shumicë që aplikohet mes operatorëve vendas është 1.48 lekë për minutë, tarifa për thirrjet ndërkombëtare është mesatarisht rreth 30 eurocentë ose rreth 38 lekë. Për shkak të çmimeve shumë të larta, trafiku ndërkombëtar hyrës zë një peshë të lartë në strukturën e të ardhurave të operatorëve. Nga 100 lekë të ardhura nga shërbimet me shumicë, 63 lekë vijnë prej terminimit ndërkombëtar.
Kuptueshëm, terminimi ndërkombëtar sjell më shumë të ardhura për operatorët me pjesë më të lartë tregu, Vodafone dhe Telekom Albania. Këto të ardhura mundësojnë pjesërisht subvencionimin e shërbimeve me pakicë, duke iu dhënë operatorëve më të mëdhenj një avantazh konkurrues.
AKEP ka vendosur që, për momentin, të mos i rregullojë tarifat ndërkombëtare, por shprehet se, në një afat të gjatë, objektivi është që këto tarifa të ulen në të njëjtin nivel me terminimin kombëtar.
Megjithatë, vendosja e detyrimit të mosdiskriminimit pritet të sjellë gjithsesi një efekt në uljen e çmimeve të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare dhe tarifa më të ulëta për telefonatat drejt Shqipërisë.