MENU
klinika

Çmimi Nobel 2018

Trajtimi i kancerit me imunoterapi!

07.10.2018 - 15:00

Dy kërkues të mjekimit kundër kancerit morën Çmimin Nobel 2018 në Mjekësi për zbulimin se si sistemi imunitar mund të përdoret për të sulmuar qelizat tumorale, zbulim që çoi në zhvillimin e ilaçeve të imunoterapisë.

Ata që e ndajnë çmimin prestigjioz janë James P. Allison, PhD, nga ‘Universiteti i Teksasit’, MD Anderson, ‘Qendra e Kancerit në Houston’, dhe Tasuku Honjo, MD, PhD, nga ‘Universiteti i Kiotos në Japoni’.

“Për më shumë se 100 vjet shkencëtarët u përpoqën të angazhonin sistemin imunitar në luftën kundër kancerit”, tha organizata Nobel në një deklaratë.

“Terapia tani ka revolucionarizuar trajtimin e kancerit dhe ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si e shohim trajtimin e tij.”

Gjatë viteve 1990, në laboratorin e tij në Universitetin e Kalifornisë, Allison ishte një nga disa shkencëtarë të cilët zbuluan se proteina CTLA-4 funksionon si një frenim në një lloj qelize imune e njohur si qeliza T.

Ai zhvilloi një antitrup që bllokoi mënyrën se si funksiononte, pastaj filloi të hetojë nëse bllokada mund ta lirojë F-qelizën dhe të lëshojë sistemin imunitar për të sulmuar qelizat e kancerit.

“Ekipi i Allison bëri eksperimentet e para në fund të vitit 1994 dhe rezultatet ishin spektakolare”, tha organizata Nobel. Minjtë me kancer janë shëruar me një agjent anti-CTLA-4.

Rezultate premtuese filluan të ndiqen së shpejti nga disa grupe të tjera dhe në vitin 2010 një test kyç tregoi efektet goditëse te pacientët me melanoma të avancuar. Në disa pacientë shenjat e kancerit të mbetur u zhdukën.

“Këto rezultate të mrekullueshme nuk ishin parë më parë në këtë grup pacientësh”, tha organizata Nobel. Në vitin 1992, Honjo zbuloi PD-1, një tjetër proteinë në sipërfaqen e qelizave T.

Në një seri eksperimentesh, Honjo tregoi se PD-1 gjithashtu punon si një frenues T-qelizor, por vepron në një mënyrë të ndryshme.

Në vitin 2012, një studim i rëndësishëm tregoi rezultate të qarta për pacientët me lloje të ndryshme të kancerit.

“Rezultatet ishin dramatike, duke sjellë përmirësimin afatgjatë dhe shërimin e mundshëm te disa pacientë me kancer metastatik, një kusht që më parë u konsiderua si i pakontrollueshëm”, tha organizata Nobel.