MENU
klinika

Diçka ndryshe!

“Tri gra dhe Misugi”, premierë në Teatrin Eksperimental

18.10.2018 - 11:28

Sot, në orën 20:00 në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në sallën ‘Goethe’, ngjitet në skenë premiera “Tri gra dhe Misugi”. Në këtë shfaqje interpretojnë Romir Zalla, Suela Bako dhe Anxhela Çikopano.

Kësaj here për publikun e kryeqytetit vjen një shfaqje ndryshe nga të tjerat, një dramë nga kultura e largët orientale. Me shkrimtar Yasushi Inoue, kjo dramë e një novele japoneze ka në thelb të saj tri letra, nga tri gra të ndryshme, dërguar Misugit.

Do të thoja për rolin tim, rreth personazhit që luaj, që është personazhi i regjizorit i cili do të vërë në skenë me një aktore këtë dramë nga kjo novelë, që lidhet me tre letrat e këtyre tre grave. 

Përveçse në rolin e regjizorit gradualisht gjatë shfaqjes vihem edhe në pozitat e personazhit, këtij burri të cilit i drejtohen këto letra dhe ndoshta diku thellë-thellë personazhi im përfaqëson edhe autorin e kësaj novele, në kuptimin e raportit që ndërton me këto gra dhe në kuptimin e frymës perëndimore që autori i ka dhënë gruas japoneze, kështu që në këtë sens nuk është se roli im ka ndonjë vështirësi të veçantë. 

Kjo histori mund të ndodhë në Japoni, Australi, Shqipëri, kudo, pra vepra është universale, jo tipike e frymës orientale”, shprehet për Konica.al, aktori Romir Zalla.

Ky autor ka qenë me ide shumë të zhvilluara gati moderne për kohën kur ka shkruar dhe sidomos kjo vepër quhet “masterpiece”, një nga librat e tij më të mirë.

Kjo për faktin se në këtë novelë ai nxorri një anë tjetër të gruas japoneze që ndoshta ne ballkanasit apo perëndimorët jemi mësuar ta shohim si një grua pa fjalë, që ecën me hapa të vegjël, që nuk ndihet fare dhe gati gati i shohin si disa qënie të ftohta. 

Në këtë novelë autori ka zbërthyer anën e brendshme të grave japoneze.

Për sa i përket mesazhit që transmeton kjo shfaqje, apo ndonjë karakteristike të veçantë të saj, Romir Zalla thotë: “Shfaqja ka shumë mesazhe në fakt.

Një ndër mesazhet e shfaqjes është një pyetje që e hedh njëra prej këtyre grave që është: ‘Si është më mirë, të duash apo të të duan’? ‘Të dashurosh apo të të dashurojnë’?

Siç tregohet edhe në këtë vepër, njerëzit në përgjithësi duan që të tjerët ti duan, kjo për shkak të natyrës egoiste që ka njeriu në përgjithësi, por në fakt sipas autorit, edhe unë mendoj kështu, është gjë shumë e mirë që ti të jesh i zoti të duash të tjerët, jo të presësh gjithmonë që të tjerët të të duan ty.

Një metaforë tjetër shumë e bukur është edhe gjarpri. Metafora ka të bëjë me idenë që hedh autori, që çdo njeri ka brenda tij një gjarpër të një lloji të veçantë, dikush e ka me një ngjyrë të caktuar, dikush e ka më specifik sipas llojit të rracës së gjarprit, por metafora që një gjarpër fshihet brenda njeriut është shumë e bukur. 

Në kohërat tona të themi moderne, ky gjarpër gjatë jetës së njeriut merr forma dhe emra të ndryshëm. Mund të shfaqet kur njeriu tregohet egoist, kur njeriu ka një fat të caktuar, kur dashuron apo xhelozon dikë. Në këtë sens metafora merr një kuptim shumë interesant”.

Pse duhet të vijë publiku ta shohi këtë shfaqje?

“Publiku duhet të vijë ta shohi këtë shfaqje në radhë të parë sepse kjo është një shfaqje ndër të paktat e llojit të vet, shumë intime, një teatër dhome”.

Në fakt është e vështirë të arrish të dallosh se kur fillon aktori dhe kur mbaron personazhi. 

“Loja është tejet realiste, nuk ka asnjë gjë teatrale, në kuptimin e ekzagjerimit të gjërave, është afër, publikun e ke afër dhe kjo besoj do jetë një eksperiencë shumë e veçantë për publikun që do vijë ta shohi sepse është një shfaqje që e fut edhe publikun brenda. 

Kjo, jo vetëm për hir të ambjentit të vogël, por edhe sepse shfaqja ndodh dhe nuk kuptohet se kur futemi në realitet dhe kur dalim në surreale. Kur jemi në jetën e zakonshme të disa krijuesve që janë një regjizor, një aktore dhe një asistente, apo dhe një muzikante dhe ku futemi te historia që trajtojnë këta krijues. 

Mendoj gjithashtu që është interesante edhe historia që trajton vepra, është interesante që publiku të shohi dramën e tre grave të cilat i ka lidhur fati me një burrë dhe mënyra se si ato e nxjerrin jashtë dramën e tyre dhe ia tregojnë publikut që vjen t’i shohi. 

Me shumë dëshirë ne do të donim që këtë shfaqje, përveçse në Tiranë ta çonim edhe në qytete të tjera, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Vlorë, Korçë, pse jo edhe më gjerë”, shprehet Romir Zalla.

Kjo dramë do të vijojë të shfaqet në datat 19-21-25-26-27-28 Tetor.

Kush ka dëshirë të shohi diçka të veçantë, ndryshe nga herët e tjera, të shohi një stil të rafinuar siç është ajo e kulturës japoneze, nuk duhet ta humbasë këtë shfaqje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!