MENU
klinika

Mashtrimi më i madh

“Ujku i Wall Street” paralajmëron për kriptomonedhat

21.10.2018 - 16:35

Jordan Belfort, ish-brokeri i aksioneve qindarkë ose penny-stocks, që përjetësohet nga Leonardo Di Caprio në filmin “Ujku i Wall Street” (The Wolf of Wall Street) ka deklaruar se “çmenduria” aktuale e Ofertave Fillestare të Monedhave (Initial Coin Offerings) është skema më e madhe e mashtrimit në histori, që do të “shpërthejë në fytyrat e njerëzve”.

Paralajmërimi vjen pasi Ofertat Fillestare të Monedhave (ICO), të cilat mbledhin fonde “online” duke iu shitur investitorëve kode digjitale në këmbim të kriptomonedhave si Bitcoin dhe Ethereum, janë bërë shumë popullore dhe po tërheqin gjithmonë e më shumë fonde.

Deri më tani për vitin 2017, 202 Oferta Fillestare të Monedhave kanë grumbulluar rreth 3 miliardë dollarë, kryesisht për sipërmarrjet që premtojnë të përmirësojnë praktikat e tregtimit dhe të investimit në monedhat digjitale. Por, tregu është shqyrtuar nga rregullatorët në vende të ndryshme, të cilët kanë paralajmëruar për rreziqet dhe janë shprehur të shqetësuar se, investitorët e vegjël po mashtrohen me premtime për kthime të mëdha nga investimi.

Jordan Belfort, i cili kaloi 22 muaj në burg pasi u shpall fajtor për mashtrim në tregtimin e letrave me vlerë dhe pastrim parash, e krahasoi situatën aktuale me fenomenin e quajtur “Blind Pools” (pishina qorre) në vitet 1970 dhe 1980, ku kompanitë mblidhnin fonde nga investitorët, pa u specifikuar atyre se si do të shpenzoheshin paratë. Shumë “pishina” u shpërbënë pa kryer qoftë edhe një investim të vetëm, por jo përpara se brokerat ose ndërmjetësuesit të merrnin interesin e tyre.

“Ata që mbështesin këto fonde, po përjetësojnë një nga skemat më të mëdha të mashtrimit që ka parë bota”, shprehet Belfort. “Ndoshta 85% e personave që promovojnë fondet e investimit në kriptomonedha, nuk kanë qëllime të këqija, por problemi është se, nëse 5 apo 10% e tyre po përpiqen të ngrenë skema mashtrimi, kjo do të jetë një katastrofë e madhe”, shton ai.

Kompanitë “start-up” argumentojnë se Ofertat Fillestare të Monedhave janë një mënyrë legjitime për të mbledhur para, pjesë e një lëvizjeje të gjerë për të konkurruar bankat dhe fondet sipërmarrëse. Ndërsa blerësit argumentojnë se, zakonisht marrin akses në një shërbim të ardhshëm, sapo të hidhet në treg, ose sapo të gjenerohen të drejtat e përfitimit. Por Jordan Belfort, i cili u soll si personazh nga Leonardo Di Caprio në filmin “The Wolf of Wall Street” në vitin 2013, tha se teknikat e përdorura nga shitësit e Ofertave Fillestare të Monedhave, kanë të bëjnë me teknikat e quajtura “pump and dump”, që nënkupton mbledhjen e fondeve, promovimin në mënyrë agresive, “rrjedhjen e një pjese të vogël në treg”, nxitjen e interesit – madje duke përdorur dhe njerëz të famshëm – dhe në fund shitja e pjesës së mbetur, përpara se çmimi të bjerë në mënyrë drastike.

Që kur u lirua nga burgu në vitin 2005, Belfort, 55-vjeç, ka ngritur një karrierë si autor dhe motivues. Libri i fundit i promovuar në Nju Jork ishte “Rruga e Ujkut” (Way of the Wolf). Njëkohësisht, Belfort po këshillon miqtë dhe të afërmit e tij të qëndrojnë larg Ofertave Filllestare të Monedhave.

“Është mashtrimi më i madh ndonjëherë, një mashtrim gjigant që do të ‘shpërthejë’ në fytyrat e njerëzve shumë shpejt. Është më keq se çdo gjë që unë kam bërë”, thotë Belfort.