MENU
klinika

Detajet

Vendimi/ Stresi mbetet pas hekurave

19.10.2018 - 13:09

Gjykata ka vendosur të lërë në burg reperin e njohur Arkimed Lushaj apo Stresi, i cili ka dalë sot para Gjykatës ku u bë rivlerësimi i masës së sigurisë.

Stresi akuzohet për trafik droge dhe krime kundër personit. Ai u arrestua mbrëmjen e së mërkurës ndërsa ishte në një dhomë hoteli në periferi të Tiranës në shoqërinë e një vajze.

Ndalimi i këtij shtetasit u bë pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit’”, thuhej në njoftimin e policisë.

Prokuroria duke mbrojtur arrestimin e Stresit tha se emri i tij ka dalë gjatë hetimeve për bandën e Bajrave, ku reperi ka folur me një prej anëtarëve të bandës duke i kërkuar ndihmë për ta nxjerrë jashtë shtetit.

“Policia më ka vënë në kërkim ju lutem më ndihmoni të dal jashtë”, mësohet se ka thënë Stresi gjatë këtyre përgjimeve.

PISTOLETA

Ndonëse mendohej se Stresi i kishte mbyllur telashet me drejtësinë shqiptare me sa duket nuk ka qenë kështu. Kjo për shkak të një arme të gjetur pak javë më parë tek shkolla “Partizani”. Policia ngriti dyshime të forta se arma i përkiste reperit dhe për këtë arsye kishte kërkuar arrestimin e tij.

Pikërisht për këtë vendim, Stresi kishte kërkuar ndihmë nga Bajrat për t’u larguar jashtë vendit.

“Më ndihmoni të iki jashtë se policia po me përgjon, se sa pashë që po më afroheshin unë e hodha armën”, ka thënë në telefonatën e bërë me një nga anëtarët e bandës Bajraj, Stresi, bisedë e përgjuar nga prokuroria e Krimeve të Rënda.

Ndërkohë një tjetër armë iu gjet gjatë arrestimit në dhomën e hotelit ku ishte me një vajzë.