MENU
klinika

Përdorim modest

Vetëm 7.7% e bizneseve në tregti elektronike

19.10.2018 - 16:33

Vetëm 7.7% e bizneseve shqiptare shesin nëpërmjet internetit. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se vitin e kaluar u regjistrua një rritje e lehtë, krahasuar me nivelin 7.1% të vitit 2016, megjithatë për tregun shqiptar tregtia elektronike ngelet ende pak e zhvilluar.

Ndërmarrjet që shesin përmes internetit në Shqipëri i takojnë sektorëve të informacionit e komunikimit, transportit dhe aktiviteteve teknike e profesionale. Në përgjithësi, shfrytëzimi i mundësive të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit ngelet i kufizuar.

Rreth 97% e ndërmarrjeve që kanë kompjuter kanë njëkohësisht edhe lidhje internetit; por, më pak se gjysma e bizneseve të anketuara, rreth 47%, kanë një faqe të tyre interneti. Madje, ky tregues paraqitet në rënie, po të kemi parasysh se për vitin 2016 anketimi tregoi që faqe interneit zotëronin afro 52% e bizneseve.

Vetëm 22% e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë të punësuar specialistë të teknologjisë së informacionit, përqindje kjo e ngjashme me vitin 2016. Për matjen e nivelit të treguesve të përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit Instat anketon çdo vit ndërmarrjet me më shumë se 10 persona të punësuar. Për vitin e kaluar, numri i ndërmarrjeve të anketuara ishte më shumë se 1500.