Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të Taulant Ballës se opozita kërkoi pazare për ligjet e vettingut.
Gjithashtu Kuvendi miratoi sot pa praninë e opozitës Projektvendimin “Për një shtesë personeli në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit”; projektvendimin “Për disa ndryshime të strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit” si dhe projektvendimin “Për shtesë të numrit të punonjësve dhe riklasifikim të pagave të administratës së Institucionit të Komisionerëve Publikë”.
Në një deklaratë për mediat Partia Demokratike thotë se opozita nuk kërkon kurrë pazar me Ramën dhe se ligjet e miratuara sot kanë qenë tek amendamentet e opozitës që i refuzoi PS-ja.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE
PS miraton me një vit vonesë amendamentet e opozitës për të mos iu shkurtuar fondet organeve të vettingut.
Partia Socialiste refuzoi një vit më parë amendamentet e opozitës për të miratuar pa asnjë shkurtim kërkesën e organeve të vettingut për burime njerëzore.
Ishte vendim i Edi Ramës që të shkurtonte me 40 % numrin e këshilltarëve dhe stafit ndihmës të organeve të vettingut.
Sot, një vit më vonë Edi Rama u kthye tek amendamentet e opozitës. Për të mbuluar faktin se u bë pengesë qëllimisht për funksionimin e shpejtë të organeve të vetingut, nxiti Taulant Ballën të shpifë kundër opozitës.
Qeveria e Edi Ramës nuk mund të mbulojë lidhjet me krimin e organizuar me përbetimet e dashurisë ndaj Reformës në Drejtësi, zbatimin e të cilës po e vonon prej 2 vjetësh.
Opozita nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë kurrë Pazar me Edi Ramën!
7 pikat e platformës së opozitës kishin për qëllim vetëm zbatimin e Kushtetutes.
Edi Rama nuk e do këtë, sepse është përkrah bandave dhe është armiku kryesor i shtetit ligjor.