Detaje të reja zbulohen pas vrasjes së minoritarit grek Kostandin Kaçifa nga RENEA në Bularat të Gjirokastrës, pas dyluftimit me policinë shqiptare.
Mediat greke shkruajnë se 35-vjeçari i lindur në Bularat dhe banues në Athinë rezulton person me precedentë penalë në Greqi.
Mësohet se ai është arrestuar në vitin 2009 nga policia greke në Halandri, në periferi të Athinës pasi është kapur me rreth 1 kilogram hashash.
Prokuroria në Athinë e ka akuzuar 35-vjeçarin në vitin 2009 për akuzën e trafikut të drogës si dhe si pjesëtar të një organizate kriminale.
NGJARJA
Në prag të zhvillimit të festes se Greqisë, e cila si çdo vit u organizua edhe në qendër të fshatit Bularat në Gjirokastër, të shtëna me armë tronditën zonën.
Policia, e cila ishte stacionuar në qendër të fshatit për mbarëvajtjen e festës menjëherë është nisur ne drejtimin nga janë dëgjuar të shtënat, ndërsa identifikoi edhe personin që qëlloi me armë.
Kostandin Kaçifa sapo ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë. Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri ky shtetas ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.
Shtetasi Kostandinos Kaçifa u fut në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijuan krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij.
Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së Gjirokastër shkoi dhe një helikopter i Ministrisë së Brendshme dhe forcat speciale RENEA nga Tirana, te cilat bënë të mundur edhe lokalizimin e autorit.
Por pasi nuk iu pergjigj thirrjes së policisë për t’u dorëzuar, 35-vjeçari qëllonte me armë zjarri, ndërkohë që mbeti i vrarë.