Shtyrja e radhës e procesit gjyqësor ndaj 4 të rinjve, të cilët akuzohen për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim ndaj Marvi Mihalit, ka ngjallur reagimin në sallën e gjyqit të babait të të ndjerit.
“Seanca e shtatë që po shtyhet. Ju lutem shumë, zoti kryetar i trupës gjykuese, kanë vrarë djalin tonë të pafajshëm. Përveç humbjes së madhe, po ngarkohemi me një gjendje emocionale të tmerrshme”, tha babai i të ndjerit.
Fillimisht, për këtë vrasje prokuroria akuzoi vetëm Dejvi Bitrajn, ndërsa tre të pandehurit e tjerë, Eugen Bitraj dhe Klidens e Marsel Allën i akuzoi për moskallëzim krimi. Por, pas shqyrtimit të kamerave të sigurisë pranë vendngjarjes, familjarët e të ndjerit denoncuan në media se djali i tyre ishte goditur nga të gjithë dhe jo vetëm nga Dejvi Bitraj.
Në këto kushte, prokuroria ndryshoi akuzat duke i akuzuar të 4 të pandehurit për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim. Përveç të pandehurve që janë në gjykim, prokuroria ka deklaruar se në vendngjarje ka qenë edhe një person i pestë që ka marrë pjesë në krim, por që ende nuk është identifikuar.