MENU
klinika

Detajet

Vrasja në ish-Bllok/ Pse u lirua Redi Popesku

24.10.2018 - 13:08

Dje gjykata e Tiranës liroi nga burgu Redi Popeskun, pronarin e lokalit “Monopol” në ish-Bllok, ku ndodhi përplasja me armë me një të vdekur dhe disa të plagosur.

Nën akuzë për “veprime që pengojnë hetimet”, pasi sipas Prokurorisë, ai ka fshehur armët e zjarrit në vendngjarje pasi ndodhi përplasja, gjykata ka vlerësuar se arrestimi i tij është i ekzagjeruar, duke e lënë në masën e “arrestit shtëpiak”, pasi nuk rrezikon të largohet apo prishë provat.

Seanca gjyqësore nisi në orën 11:30 ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës dhe u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor.

Sipas mbrojtjes, Redi Popesku nuk ka fshehur asnjë armë në vendin e ngjarjes. Avokati i tij, Ardian Leka, ka folur pas vendimit të Gjykatës, duke kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë së Tiranës për Popeskun. Ai e ka cilësuar edhe vendimin e Gjykatës për “arrest shtëpie” si të padrejtë.

“Vendimi i Gjykatës nuk ishte i drejtë. Prokurorët mund ta kishin zgjidhur me urdhër ndalimi dhe jo me arrest në flagrancë. Ndaj tij nuk mund të vendoset një masë e tillë, pasi ai nuk mund të pengojë të vërtetën. Janë marrë gëzhojat nga vendngjarja dhe janë çuar për ekspertizë. Pra asnjë veprim që ai mund të kryejë nuk e pengon të vërtetën. Ai nuk ka fshehur asnjë armë.

Ai ka leje për një pistoletë dhe disa armë të tjera, mes tyre edhe një çifte. Ne nuk thamë që ai nuk e dorëzon armën. Problemi është se Popesku është thirrur për të dorëzuar armën dhe meqenëse prokurorët nuk e kanë gjetur aty në atë moment, kanë bërë arrestimin e Popeskut. Deri më sot arma nuk është dorëzuar. Nëse kërkohet arma, do të merret dhe me të do të eksperimentohet për të parë nëse në vendngjarje janë përdorur të njëjtat gëzhoja”, tha Ardian Leka.