Mund të thuash se është një zbulim që erdhi nga qielli. Megjithatë, gjithcka ishte atje, nën tokë, për kush e di sa kohë. Dhe në fakt, në sajë të dronëve, arkeologët e Universitetit të Salentos kanë bërë një zbulim të madh në zonën e Aquinum: një kokë e punuar në mermer. Portreti i Jul Cezarit. Bashkë me portretin e Cezarit janë dhe dy koka të tjera: njëra e ashpër, me mjekër, portret i Herkulit dhe një tjetër ende i paidentifikuar, por i sigurt është fakti që bëhet fjalë për një femër.
Ky zbulim i rëndësishëm sapo është bërë nga arkeologët italianë të përfshirë në gërmimet e një zone më parë pronë private, e cila tani është marrë nga Bashkia, në territorin e Castrocielo (Frosinone). Për dhjetë vjet me fushata të ndryshme, hulumtuesit nga Universiteti i Salentos kanë kryer studime në zonën që atëherë i përkiste qytetit të Aquinumit, një vend strategjik në kohët romake.
Historia dhe hipotezat e hedhura për diskutim
Gdhendur në mermer, ndoshta i përkasin kohës kur në Romë udhëhiqte Augusti. Tre kokat e gdhendura janë të ruajtura mjaft mirë, por gjithsesi duhen studime të mëtejshme për zbulimin e tyre. Ngjashmëria e njërit prej portreteve me Jul Cezarin është befasuese. Gjithsesi, duhen kërkime të tjera pathjetër për të dhënë një vlerësim përfundimtar. Arkeologët thonë se është një zbulim i pazakontë: “…në rrezik nga hajdutët, tërmetet, ngjarjet e së kaluarës dhe përmbytjet është e vështirë për të gjetur objekte të këtij lloji dhe ne jemi shumë të lumtur që ia kemi dalë “, shpjegon Ceraudo, përgjegjës për punën kërkimore të Universitetit.
Zona përreth dhe thesaret e fshehura
Në të gjithë zonën, midis Tempullit të Dianës dhe Banjave akoma më shumë zbulime interesante po dalin ngadalë në dritë. Në fakt, hulumtuesit tregojnë se kjo është një pjesë e vogël në krahasim me atë që ata parashikojnë se fshihet nën tokë. “Zona Aquinum është më shumë se 100 hektarë. Ne po studiojmë vetëm një pjesë të vogël të saj prej 8 hektarësh. Edhe pse ne kemi bërë një gjetje të jashtëzakonshme me kokat prej mermeri, duhet të themi se kemi gjetur vetëm një të njëqindtën e asaj që fshihet nën këmbët tona”, thotë Ceraudo.
Arkeologët janë të sigurt se duke vazhduar të gërmojnë “do të dalin në dritë” veprat që do të mund të na tregojnë historinë dhe epokën romake në gjithë madhështinë e saj. Dhe kush e di se atje poshtë, nën tokë, nuk janë edhe trupat e statujave prej mermeri që u janë gjetur vetëm kokat.