Zëdhënësi i Prokurorisë Denion Ndrenika konfirmoi për BIRN se “veprimtaria e Dakos” është nën hetim por nuk bëri të ditur arsyet se për çfarë po hetohet
Prokuroria shqiptare është duke hetuar “veprimtarinë” e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, por për Dakon nuk ka masë dhe ai nuk është më vete “person nën hetim”.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme Denion Ndrenika konfirmoi për BIRN se veprimtaria e Dakos po hetohet bashkë me atë të personave të tjerë ndërsa prokuroria do të marrë vendim më vonë nëse ka apo jo “elementë të veprës penale”.
“Dako” nuk është person nën hetim, por kjo nuk do të thotë se nuk po hetohet veprimtaria e tij.
Po hetohet veprimtaria e tij dhe e shumë personave të tjerë dhe në përfundim do të konkludohet nëse ka ose jo elementë të veprës penale,” tha Ndrenika.
Pyetur nëse Dako po hetohej në lidhje me aludimet për blerje votash në zgjedhjet e vitit 2017, Ndrenika tha se “nuk ka koment”.
Dako i tha BIRN përmes një telefonate se nuk kishte dijeni për hetimin dhe rrjedhimisht nuk kishte koment.
Kryebashkiak i Durrësit që nga viti 2007 dhe një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste, Dako ka realizuar fitore të njëpasnjëshme dhe në rritje në zonën e tij elektorale, ku fitorja më e madhe duket se u realizua në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017.
Në zgjedhjet e vitit 2007, Dako fitoi me një diferencë prej vetëm 300 votash përballë kandidatit kundërshtar në zgjedhjet për kryebashkiak të qytetit të Durrësit.
Katër vjet më vonë, siç shkruan Reporter.al, në zgjedhjet e vitit 2011, Dako fitoi me mbi 3,500 vota diferecë ndërsa në zgjedhjet e vitit 2015, kur Bashkia Durrës përfshinte jo vetëm qytetin por edhe fshatrat përreth sipas reformës administrative, Dako fitoi me 57% të votave.
Në zgjedhjet parlamentare, Partia Socialiste përmirësoi në mënyrë të vazhdueshme rezultatet e saj në Qarkun Durrës, ku përfshihen edhe Bashkitë Shijak dhe Krujë.
Në vitin 2017, socialistët morën gati 50% të votave në këtë qark nga 39% që patën marrë më 2013.
Dako [CV Link] është akuzuar në vijimësi nga Partia Demokratike në opozitë për krime të aluduara zgjedhore dhe për lidhje me elementë të krimit të organizuar.
Opozita aludon gjithashtu që suksesi elektoral i socialistëve lidhet me bashkëpunimin e tyre me elementë të krimit të organizuar.
Javën e kaluar, policia shqiptare kreu një operacion masiv kundër krimit të organizuar për të goditur katër grupe kriminale të ndërlidhur me njëri-tjetrin që ishin përgjegjës për së paku 13 raste të trafikut të drogës.
Operacioni solli edhe arrestimin e dy ish-deputetëve socialistë të akuzuar për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh.
Por menjëherë pas përfundimit të operacionit, materjale të dosjes hetimore të rrjedhura te Partia Demokratike dhe media zbuluan së paku dy raste kur elementë të arrestuar për dyshimet për drogë, dyshoheshin edhe si të angazhuar në blerje votash për Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2017.
Gjatë javës, Partia Demokratike akuzoi Prokurorinë se kishte fshehur implikimin e Dakos dhe kishte shmangur hetimin e krimit zgjedhor nga të dyshuarit për trafikantë droge.
Të premten, kryetari i demokratëve Lulzim Basha kërkoi hetim.
Një paragraf nga dosja e prokurorisë i rrjedhur në media tregon se Gjevi Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, u përgjua duke blerë vota për socialistët.
Arben dhe Gjevi Ndoka janë arrestuar të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe përvetësim toke publike si pjesë e operacionit.
Që të dy u deklaruan të pafajshëm para Gjykatës së Krimeve të Rënda të mërkurën, por u lanë në masën e sigurisë Arrest me Burg.
Gjithsesi, trofeu më i madh për opozitën erdhi nga biseda të përgjuara mes Dakos dhe Altin Avdylin, një të dyshuar për trafik droge.
Në bisedë Dako dëgjohet duke thënë se dëshironte të takonte vëllain e Avdylit, i cili është gjithashtu i arrestuar, për ta falënderuar atë. Biseda raportohet se është zhvilluar menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.
Në një bisedë të dytë të përgjuar, Avdyli flet me një person tjetër, i cili i thotë se një familje me gjashtë vota dëshiron të shesë votat dhe nxit Avdylin t’i thotë Dakos t’i paguajë.
Duke folur në emisionin Opinion të enjten në darkë, Dako nuk mohoi se ai ka folur me të dyshuarin por tha se si politikan, ai flet me të gjithë votuesit.
“Nuk ka bir kurve që flet më shumë se unë me votuesin,” tha ai.
Dako mohoi akuzat për blerje votash: “Unë nuk i kam fituar zgjedhjet me para,” tha ai.