MENU
klinika

Stuhia në Itali

20 viktima dhe 1 miliardë euro dëme

04.11.2018 - 10:21

Italia po përpiqet të ringrihet pas një numri stuhish të dhunshme që goditën pjesë të vendit javën e shkuar, duke i marrë jetën të paktën 20 personave.

Meteorologët parashikojnë që shiu i rrëmbyeshëm dhe stuhitë do të vazhdojnë në disa pjesë të Italisë këtë fundjavë, me Lacion, Kampanian, Emilia Romanjwn dhe Veneton mes zonave që do të vazhdojnë të jenë në vështirësi. Përmbytjet në Siçili kanë bërë që të mbyllen shumë rrugë dhe autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e shkollave dhe zonave publike.

Rajonet italiane po bëjnë tani përllogaritjen e dëmeve të shkaktuara nga stuhitë e ditëve të shkuara, veçanërisht në 6 rajonet e vendosura nën alarm prej disa ditësh. Rajoni verior i Venetos është goditur më rëndë, ndërsa autoritetet besojnë se dëmet mund të kërkojnë më shumë se 1 miliard euro për t’u riparuar. Qeveria ndërkohë po merr në konsideratë mundësinë që taksat dhe pagesat e tjera të ndalen në dy rajonet veriore të Italisë.

Fshati piktoresk i Portofinos, afër Gjenovas, një resort pushimesh i shumëfrekuentuar në rivierën italiane, ishte i arritshëm vetëm përmes detit, pasi rruga kryesore u shemb dhe një kalim emergjence që u hap për të lejuar largimin e banorëve u konsiderua shumë i rrezikshëm.

Pyjet në malet Dolomite janë rrënuar pasi pemët janë shkulur me rrënjë si pasojë e erërave të forta. Pemët e rëna kanë shkaktuar edhe numrin më të madh të viktimave, përveç problemeve të tjera. Sipas autoriteteve, mbi 14 milionë pemë janë shkatërruar dhe do të duhen më shumë se 100 vite për t’i kthyer pyjet në gjendjen e mëparshme.

Disa qytete në provincën veriore të Belunos mbetën po ashtu të izoluara pasi një masë dheu rrëshqiti duke dëmtuar një rrugë malore dhe përpjekjet për hapjen e saj u penguan nga shirat e rrëmbyeshëm.

Venecia po ashtu u gjend nën ujë me nivelin që arriti nivele historike të hënën e shkuar, duke çuar në evakuimin e turistëve nga qendra.