MENU
klinika

“Çinarët” e Atë Konrrad Gjolajt

29 Nëntori në një tjetër këndvështrim

29.11.2018 - 17:21

Për gjithë shqiptarët, sot është festa e Çlirimit e cila përkon me ditën kur nazisti i fundit ka lënë tokën shqpitare duke kaluar nga Malësia e Madhe kufirin me Malin e Zi. Dëshmi të shumta lidhen me atë moment për të cilin, historia e shkruar gjatë komunizmit flet shumë. Pas viteve ’90, në shoqërinë shqiptare lindi edhe një tjetër debat, ai mes kaheve politikë për datën kur çlirimi erdhi, 28 apo 29 nëntor.

Përtej kësaj, ndonëse historia e tregon si një datë të lavdishme, një dëshmi interesante na vjen nga françeskani Konrrad Gjolaj i cili, në librin e tij “Çinarët” shkruan:

E premtja e zezë e Shqipnisë, që filloi me 29 Nandor 1944, dhe jo me 28 Nandor, e që do të vazhdojnë përsa të sundojnë komunistat këtu, erdhi edhe në Shkodër. Flamuri i ynë i dhunuem me yllin e kuq, bashkë me flamurin e Jugosllavisë së Druzhe Titos, plot mbas 31 vjetësh prej 1913, u valvit në atë kompanjel të Kishës tonë, i vuem me forcë prej komunistave shqiptar, “Partizanve çlirimtar”, dhunues të Fesë e të Nderës së kombit tonë.

Se shak do të bahet me Shqiptarët e Skandërbeut, ate e verteton vetëm: HISTORIA E PËRGJAKSHME E POPULLIT SHQIPTAR E PASHKRUEME PËR 50 VJET NËN SUNDIMIN E TERRORIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS DHE SPIJUJVE TË TIJ”.

Vijon Atë Gjolaj:

Partizanët në darkë u mblodhën me festue fitorën në ndërtesën e konsullatës italiane (ma vonë shtëpia e kulturës). Rreth mesnatës 3 gjerman të armatosun kanë ardhë prap me një triçikël, kanë trokitë në derë, dhe kanë hy në mjedis 300 partizanve, janë ngjitë nalt, dhe kanë marrë në një kasafortë, një dokument e kanë shkue në punën e vet. Por partizanët trima shka bane? Vazhduen me hangër e me pi ndër tavolinat e mbushuna prej shumë tregtarëve shkodranë, që kujtonin se “këta” partizanët do të vazhdojnë me kenë shegertat e tyne të përprashëm…

Filluen me u shpërnda ndër shpijat e Shkodrës, kështu qyteti u mbulue me morra. Në netët e ftofta t’atij dimni rreth votrës ndër sytë e trishtuem të partizanve shifej e mshefun tinzia. Kështu na shkeli me thundrën e saj “liria”.

…“Kur shteti bjen në duert e vagabondave dihet e mbara. Gjithkah nën pretekstin e sekuestrimeve, vjedhje e plaçkitje. Njerëz që me djersën e ballit kishin rregullue deri diku ekonominë, u detyruen ku nën dorë e ku mbi dorë, veç si e si me sigurue bukën, thenin napolona arit të mbetuna n’arkat e grave, mbasi gjendja shkoi deri aty, sa për një bukë, me ndejë me orë ndër rrallat e pafund. Makinat ndër magazet e tregtarëve ngarkonin mallin dhe e dërgonin në “ndihmë të popujve vllazën të Jugosllavisë mike”. Gjithshka filloi me shterrë. Burgjet mbusheshin tash edhe me tregtarë që nuk paguejnë tatimet, e huni vlonte si në karadak me dorëzue ar e stoli. Në pazarin e vjetër përditë mbyllej një dugajë, se nuk asht pague tatimi, ose ma keq, filani ka mbetë në birucë se nuk difton kapitalin”.

(Marrë nga Át Konrrad Gjolaj, Çinarët, Botime Françeskane, Shkodër, 2015, f. 45; 71; 81).

/A.D

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!