MENU
klinika

39 mijë më shumë këtë vit

333 mijë shqiptarë kanë internet në shtëpi

27.11.2018 - 13:02

Numri i abonentëve të internetit në Shqipëri arriti në 333 mijë në fund të muajit shtator. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, gjatë vitit 2018 këtij shërbimi i janë shtuar rreth 39 mijë abonentë.

Tregu po rritet me ritme të shpejta, duke ngushtuar hendekun relativ të depërtimit të këtij shërbimi, krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara. Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, numri i abonentëve të shërbimit të internetit me linja fikse është zgjeruar me 16%. Në një vit, janë shtuar rreth 46 mijë abonentë të rinj të shërbimit të internetit.

Pjesa më e madhe e abonentëve të internetit e shfrytëzojnë lidhjen për të marrë më shumë se një shërbim komunikimi, duke përfshirë edhe telefoninë fikse dhe televizionin. Numri i abonentëve që marrin të paktën dy prej këtyre shërbimeve njëkohësisht ka arritur në 215 mijë, në rritje vjetore me afro 9%.

Prej tyre, 104 mijë abonentë marrin njëherësh tre shërbime përmes një lidhjeje të vetme. Përfshirja e platformave televizive me pagesë i ka dhënë një shtysë edhe më të fortë zgjerimit të shërbimeve të integruara të komunikimit. Nga ana tjetër, depërtimi ende i ulët i linjave fikse ngelet një pengesë për të rritur numrin e abonentëve të internetit edhe jashtë qendrave të mëdha urbane të vendit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN