Një nga kompanitë më fitimprurëse në vitet e fundit, Air BP Albania, ka vendosur të shpërndajë dividend për fitimet e periudhës 2010-2015. Ky vendim vjen në kohën kur qeveria Shqipëria ka vendosur të ulë tatimin mbi dividendin nga 15% në 8%. Qëllimi i kësaj mase është pikërisht nxitja e shpërndarjes së dividendit nga shoqëritë tregtare.
Pas rritjes së tatim-fitimit dhe tatimit mbi dividendin nga 10% në 15%, shumë aksionerë të bizneseve preferuan të mos shpërndanin dividend, për të evituar normën e lartë të tatimit. Ulja që pritet të miratohet në Kuvend brenda këtij muaji do t’iu mundësojë bizneseve të shpërndajnë kundrejt pagesës së një tatimi prej 8% edhe fitimet e viteve të mëparshme.
Falë pozitës monopol në tregun e furnizimit me karburant të aeroportit të Tiranës, AIR BP Albania ka arritur norma shumë të larta fitimi për vitet me radhë. Fitimi që do të shpërndahet, për periudhën 2010-2015, ka vlerën e 2 miliardë lekëve ose rreth 16 milionë eurove. Në vitin 2016, Air BP Albania u bë objekt edhe i një hetimi të thelluar nga Autoriteteti i Konkurrencës.
Grupi i inspektimit propozoi që shoqëria të shpallej fajtore për abuzim me pozitën dominuese dhe të gjobitej sipas ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, por Komisioni i Konkurrencës e mbylli hetimin pa marrfë masa ndëshkuese ndaj Air BP Albania.