MENU
klinika

Nga New York Times

Ambiciet e qarta të Putinit…

22.11.2018 - 09:15

Që kur Vladimir Putin erdhi në pushtet në vitin 2000, për Rusinë ka dy interpretime. I pari argumenton se Rusia është një shtet mafioz në të cilin qëllimi kryesor i elitës sunduese është të vjedhin para në Rusi për t’i shpenzuar jashtë vendit. I dyti tregon se gjithçka që ndodh në Rusi lidhet me Putin, vlerësimin që ka populli për të.

Për të kuptuar me të vërtetë se çfarë e bën Rusinë të fuqishme, duhet të shohim përtej këtyre miteve.

Në të vërtetë, ka shumë korrupsion në Kremlin. Ata përfitojnë nga postet, depozitojnë të ardhurat në qendrat bankare dhe në tregun e pronës së Londrës dhe i dërgojnë fëmijët e tyre të arsimohen në shkollat ​​perëndimore. Por në qoftë se elita ruse do të shqetësohej vetëm për mirëqenien e vet, nuk do të bënte asnjëherë ndonjë gjë për të jashtë shtetit. Sidoqoftë, “aventurat” e guximshme të politikës së jashtme të Putinit gjatë viteve të fundit, në veçanti ato në Krime, kanë marrë mbështetjen e shumicës së elitës ruse, pavarësisht sanksioneve.

Dhe me siguri, Putin, si shumica e politikanëve, sidomos populistëve autoritarë, kujdeset për popullaritetin e tij. Një nga qëllimet kryesore të aneksimit të Krimesë ishte rritja e vlerësimit të popullit për të që ishte në rënie. Por në korrik, parlamenti i Rusisë votoi për të rritur moshën e daljes në pension, duke shkaktuar pakënaqësi. Sondazhet tregonin se deri në 90 përqind e rusëve i kundërshtuan këto masa dhe pati edhe protesta kundër tyre. Megjithatë, Kremlini vazhdoi me reformat.

Pra, çfarë na tregon kjo? Pse regjimi rus rrezikon, herë pas here, të ndërmarrë veprime që kërcënojnë sigurinë e Putinit apo që dëmtojnë popullaritetin e tij? Sepse Rusia nuk është Filipine apo Guatemala. Elita ruse ka ambicie globale. Putin dhe bashkëpunëtorët e tij besojnë se Rusia duhet të shtrijë fuqinë e saj në të gjithë botën, ekonomikisht, ushtarakisht dhe politikisht.

Këto ambicie, të rrënjosura në historinë e Rusisë, kanë ekzistuar ndër shekuj. Ato u dobësuan nga disfata e Moskës në Luftën e Ftohtë. Por kjo ishte vetëm e përkohshme.

Kriza financiare e vitit 2008, kriza e parë e madhe globale që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, bëri që Rusia të mos kishte më besim tek ekonominë perëndimore. Pastaj në vitin 2012, Shtetet e Bashkuara prezantuan Aktin Magnitsky, një sërë sanksionesh mbi biznesmenët rusë dhe aleatët e Putinit. Këto dy ngjarje ekspozuan pasigurinë e Perëndimit ekonomikisht dhe politikisht.

Në të kundërt, Putin u shfaq si garantues i pasurive të klasës sunduese. Gjatë krizës ekonomike, ai dha shuma të mëdha parash për të ndihmuar biznesmenët e mëdhenj. Kjo tregoi se sa më i fortë të jetë shteti, aq më i madh është kapaciteti i saj për të mbrojtur.

Rrjedhimisht, Rusia po shtrin fuqinë e saj kudo në botë gjatë viteve të fundit, duke dërguar trupa në Ukrainë dhe Siri, duke ndërmarrë veprime kibernetike dhe duke u përpjekur të gjejë aleatë në luftën e saj për një “botë multipolare” midis forcave politike në Filipine, Afrikë, Evropë dhe Amerikën Latine.

Edhe në çështjet e brendshme, Rusia duket se është e suksesshme. Ajo ka një moshë më të ulët pensionesh sesa ekonomitë më të zhvilluara. Qeveria është e vendosur ta reformojë sistemin e pensioneve, edhe nëse shumica e rusëve nuk janë dakord.

Përmbledhur, këto janë faktorët që analistët dhe politikëbërësit duhet të kuptojnë. Udhëheqës të tjerë sovjetikë deklaruan se ambicia e tyre ishte të ” të arrinin Perëndimin”. Qëllimi i zotit Putin është diçka tjetër. Ai dhe mbështetësit e tij në elitën ruse e dine se është e pamundur të arrihet Perëndimi. Kështu që kanë qëllime të tjera.

Alexander Baunov është një anëtar i lartë në Qendrën Carnegie Moscow dhe kryeredaktor i Carnegie.ru.