Pashë nga larg se si një avion nga Nju Jorku, që mbante 10 spiunë rusë, zbriti në pistën e aeroportit të Vjenës, ngjitur me avionin rus, ku ndodheshin katër agjentë të tjerë.
Ishte korrik i vitit 2010 dhe unë po raportoja këmbimin më të madh të spiunëve midis SHBA-ve dhe Rusisë, që nga Lufta e Ftohtë.
Na u duk e habitshme që Vjena ishte zgjedhur si vendi për këmbimin. Por tradita e qytetit si fole ndërkombëtare spiunazhi vazhdon edhe sot. Rasti më i fundit ka qenë shumë i turpshëm për Austrinë. Një kolonel austriak, i dalë në pension, u mor nën hetim nga prokurorët vendas. Ai dyshohej se kishte spiunuar në favor të Rusisë që nga viti 1990.
Austria është parë si një nga miqtë e paktë që ka Rusia në BE. Vetëm pak muaj më parë, presidenti Rus, Vladimir Putin, erdhi si i ftuar nderi në dasmën e Ministres Karin Kneissl.
Mes spiunëve që u këmbyen në aeroportin të Vjenës, në vitin 2010, ishte dhe Sergeji Skripal, agjenti që u helmua këtë vit në Salisbëri.
Ai ishte një oficer i ushtrisë ruse që kishte punuar si agjent i dyfishtë për britanikët.
Një tjetër ishte Anna Champan, agjentja ruse flokëkuqe që ishte deportuar nga SHBA-të.
Reputacioni i Vjenës për spiunë vjen kryesisht prej gjeografisë.
Austria dhe biznesi i spiunazhit
“Duke qenë pranë Perdes së Hekurt, Austria e paanshme ka qenë vend i leverdishëm prej ku mund të dëgjoje informacione gjatë kohës së komunizmit”, thotë Siegried Beer, historian dhe themelues i “Qendrës Austriake për Studime Informacioni, Propagande dhe Sigurie”.
“Me një bazë në Vjenë, gjatë Luftës së Ftohtë, shërbimet sekrete mund të organizonin gjëra të ndryshme në Jugosllavi, Hungari, Çekosllovaki dhe Poloni”, thotë ai.
“Qeveria austriake donte të qëndronte e paanshme. Kështu që zhvilloi një atmosferë në të cilën të ndiheshin të gjithë rehat, ku mund të përfitonin nga njëri-tjetri. Ishte biznes.
“Spiunazhi ishte biznes. Vazhdon të jetë. Sjell shumë njerëz me para dhe ka shumë mbështetje në vend.”
Filmi klasik i Luftës së Ftohtë, “The Third Man” (Njeriu i Tretë), tregon se si Vjena e pas-luftës ishte e ndarë në katër zona aleatësh, të kontrolluara nga britanikët, amerikanët, francezët dhe sovjetikët.
Edhe pse historia e “The Third Man” përqendrohet më shumë te trafiku në treg të zi, Sigfrid Beer thotë se është frymëzuar nga një gazetar austriak, Peter Moslka, i cili ka punuar për informativin britanik dhe ka qenë një i infiltruar për sovjetikët”.
Me Qindra Spiunë
Perdja e Hekurt ka rënë, por spiunët kanë mbetur.
Vjena është sot shtëpi e OKB dhe e OSBE, (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë).
Kjo do të thotë që shumë vende kanë jo vetëm një ambasadë, por dy ose më shumë misione diplomatike në këto organizata ndërkombëtare. Këto japin imunitet diplomatik dhe mbulim për spiunët.
Raporti i përvitshëm i Zyrës Federale të Austrisë për Mbrojtje të Kushtetutës dhe ndaj Antiterrorit (BVT) thotë se Austria është një zonë e preferuar për veprimtari të spiunëve të huaj, dhe se prania e agjentëve mbetet e lartë.
Kur u botua raporti në fund të këtij viti, kreu i BVT, Peter Gridling, nuk foli për një numër të saktë agjentësh të huaj, por tha se bëhej fjalë për një komunitet prej qindra njerëzish.
Megjithatë, ai vuri në dukje që tani ka më shumë agjentë në Bruksel se në Vjenë.
‘Më joshi Rusia dhe MI6’
Gerhard Mangott, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare te Universiteti i Insbrukut, tha se tashmë dihet botërisht që këta agjentë përpiqen shpesh të rekrutojnë informatorë austriakë.
Ai u habit që qeveria austriake kishte vendosur të dilte në publik me akuzat kundër kolonelit të dalë në pension, sidomos duke parë marrëdhëniet e ngushta të Vjenës me Rusinë.
“Shërbimet Sekrete janë shumë aktive në Austri. Të dy palët përpiqen të marrin informacion nga institucione të ndryshme”, tha ai.
Vetë profesori Mangott ishte joshur si nga shërbimet sekrete britanike, ashtu dhe nga ato ruse.
“Në vitin 1990 më kontaktoi një person i shërbimeve sekrete ruse. Më ftoi që të punoja për rusët. Edhe MI6 më kontaktoi në vitet 1990, që të punoja si informator.
“Jam i sigurt që ka shumë austriakë që punojnë për shërbimet sekrete. Fakti që është zbuluar ky spiun politik nuk duhet të jetë diçka e papritur për qeverinë austriake”.
Siegfried Beer është dakord: “Politikanët duhet ta dinë që spiunazhi është biznes ndërkombëtar, ku përfshihen të gjithë. Në vend që të fajësojnë rusët, austriakët duhet të shohin mjedisin e tyre e të pyesin se si është e mundur që kemi pasur një spiun mes nesh për 25 vite”.