MENU
klinika

Numri i përdoruesve ulet me 31%

Bie “miti” i Vodafone

30.11.2018 - 11:31

Kompania më e madhe e shërbimeve celulare në vend, Vodafone Albania, po pëson një rënie me ritme të lartë të numrit të përdoruesve aktivë. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në fund të shtatorit numri i përdoruesve të Vodafone ra me mbi 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënia e numrit të përdoruesve aktivë, në fakt, është një tendencë që po vazhdon prej disa tremujorësh në tregun celular. Kjo lidhet me heqjen dorë nga mbajtja e disa numrave celularë. Pasi AKEP vendosi detyrimin për të aplikuar tarifa të njëjta brenda dhe jashtë rrjetit, për shumicën e përdoruesve një gjë e tillë nuk ishte më e nevojshme.

Megjithatë, rënia e numrit të abonentëve për Vodafone është shumë më e fortë në raport me dy kompanitë e tjera. Tashmë, Vodafone zotëron 45% të përdoruesve aktivë të telefonisë celulare, nga 50% që mbante në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Madje, Vodafone është i vetmi operator që ka pësuar rënie të përdoruesve krahasuar me tremujorin e dytë. Kjo është e pazakontë, po të kemi parasysh se në këtë tremujor numri i përdoruesve rritet, për shkak të fluksit hyrës të emigrantëve dhe turistëve.

Në tërësi, duket se tregu i telefonisë celulare ka arritur një lloj ngopje, sidomos në shërbimet bazike, si telefonatat apo mesazhet e shkruara. Volumi i thirrjeve në tremujorin e tretë ra me 8.5% krahasuar me një vit më parë, ndërsa ishte pothuajse i njëjtë me tremujorin e dytë.

Potencialet e rritjes janë zhvendosur tek interneti. Volumi i të dhënave i transmetuar nga rrjetet celulare u rrit me gati 33% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN