Në shenjë proteste për gjendjen e krimit dhe në disa raste për votimin e ligjeve të ndryshme, siç ishte edhe ai për rindërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, apo dhe që prej publikimit të audios që implikonte vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj në trafiqe të paligjshme, opozita ka bojkotuar parlamentin.
Por pavarësisht se bëhet fjalë për vendime politike, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka vendosur që të zbatojë rigorozisht rregulloren dhe ligjin edhe sa i përket pagesës së deputetëve opozitarë.
Si rrjedhojë të gjithë deputetët e opozitës po përballen në këto kohë me mbajtjen e pagës për sa kohë që nuk frekuentojnë jetën parlamentare.
Vetë institucioni i Kuvendit ka publikuar në faqen e tij në internet të dhënat mbi listëpagesat e deputetëve gjatë muajit korrik, pagesa që merren gjatë muajit gusht. Sipas këtij dokumenti zyrtar të gjithë deputetët opozitarë kanë pasur penalitete që shkojnë deri në gjysmën e pagës. Kjo në varësi të mungesave që ka marrë secili prej tyre në mbledhjet e seancave plenare dhe në mbledhjet e komisioneve të përhershme dhe të posaçme.
Listën e deputetëve të pakicës parlamentare që kanë bërë më shumë mungesa e kryeson Lefter Koka me 11 mospjesëmarrje në seanca plenare dhe në mbledhjen e komisionit ku bën pjesë.
Për rrjedhojë atij i është mbajtur më shumë se gjysma e pagës që përfiton si deputet ose thënë me shifra konkrete 58,531 lekë të rinj. Lista pasohet nga deputeti tjetër i LSI-së, Agron Çela me 10 mungesa dhe të cilit i janë mbajtur nga paga 53.210 lekë të rinj.