Qeveria shqiptare paguan kosto të konsiderueshme nga likuiditeti i tepërt në bilancin e vet. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) konstaton se nevojat për financime nuk planifikohen siç duhen, duke shkaktuar tepricë likuiditeti në llogarinë e qeverisë. Këto teprica likuiditeti në valutë e ekspozojnë stokun e mjeteve monetare kundrejt riskut të kursit të këmbimit.
Vetëm për vitin 2017, në treguesit fiskalë të konsoliduar është raportuar humbje nga rivlerësimi i tepricave të likuiditeteve në valutë, si pasojë e uljes së kurseve të këmbimit në fund të vitit. Humbja rezulton ne vlerën 2.85 miliardë lekë.
Kjo humbje nga lëvizja e kursit në rënie përgjatë vitit është shkaktuar nga mbajtja e likuiditeteve të larta, ku gjendja e mjeteve monetare në të katër monedhat paraqitet e lartë në fund të vitit 2017 dhe përgjatë vitit arrin edhe në vlera prej 45 miliardë lekë.
“Në kushtet e tepricave të larta të likuiditetit konstatohet se nuk merren masa për investimin e tyre në instrumente afatshkurtër për të reduktuar koston që rezulton nga interesat për sigurimin e likuiditetit”, vëren KLSH.
Një nga problemet kryesore të menaxhimit buxhetor, të nënvizuara shpesh, është një mosshpërndarje uniforme e shpenzimeve buxhetore gjatë vitit. Sidomos në pjesën e parë të vitit, shpenzimet janë të ulëta, çka sjell, mes të tjerash, edhe gjendje të lartë likuiditeti në buxhet. Në rrethana të veçanta, likuiditeti i lartë mund të shkaktojë edhe humbje, siç ndodhi vitin e kaluar.