Kapiteni legjendar i Kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana dhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, janë dy nga figurat më të dashura për shqiptarët, të cilët e kanë ngritur lartë emrin e kombit tonë.
Dy ikonat shqiptare janë bërë bashkë në koncertin e mbajtur mbrëmjen e së hënës në nder të heroi tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, në Teatrin “Argentina” të Romës.
Artistja me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, këndoi kolonën e famshme zanore “Homesick”, ndërsa ndodhej bashkë me familjen e saj në këtë koncert. Në prapaskenat e shfaqjes, ajo ka pasur rastin të takohet me kolegët e saj shqiptarë, dhe të shkëmbejë fotografi me ta.
Futbollisti i njohur shqiptar, Lorik Cana, është ai i cili vendosi që në rrjetin social Instagram të publikojë së fundmi një fotografi, ku shfaqej bashkë me Duan.
Cana duket të ketë qenë i lumtur që ka pasur fatin të takohet me artisten shqiptare, ndërsa është shprehur në mbishkrimin e fotografisë se ndjehet krenar me të, ashtu si çdo bashkëkombës i tij.
“Si të gjithë shqiptarët, fans i madh i Dua Lipës, krenar me ty”, janë fjalët e Lorik Canës në mbishkrimin e fotografisë, e cila ka marrë mijëra pëlqime dhe komente nga ndjekësit e tij, ndër to edhe vet pëlqimin e Duas.