MENU
klinika

Dita Botërore e Diabetit

Diabetikët do të kenë këto lehtësime!

14.11.2018 - 18:17

Çdo vit në 14 Nëntor Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Federata Botërore e Diabetit (IDF) organizon Ditën Botërore të Diabetit.

Në këtë kuadër sot në Tiranë, në sheshin ‘Skënderbej’ në orën 9:30 – 10 u organizuan takime ndërgjegjësuese në ‘sallonin e Diabetit’ me pacientë, të cilëve iu kryen matje të glicemisë falas dhe me qytetarë të ndryshëm që u informuan mbi këtë sëmundje kronike.

Mëso dhe vepro ndaj diabetit ishte tematika kryesore. E pranishme në këtë organizim ishte Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Prof. Florian Toti, Kryetari i shoqatës së Diabetit në Shqipëri etj.

Diabeti është një sëmundje kronike me kosto të lartë sociale, shëndetësore dhe ekonomike, por sot ndër të tjera ministrja ka evidentuar se:

– Me buxhetin e vitit 2019, pas fëmijëve 0-18 vjeç rimbursojmë falas fishat e diabetit edhe për studentët;

– Lehtësojmë mundimet e pacientëve me diabet të cilët nuk kanë më nevojë të vijnë në Tiranë, por konsulta ka nisur të bëhet pranë spitaleve rajonale;

– Garantojmë kontrollin mjekësor bazë falas për çdo qytetar të grupmoshës 35-70 vjeç për diagnostikimin e hershëm të diabetit;

– Mundësojmë terapinë e plotë falas nga skema e barnave të rimbursueshme ka shtuar Ministrja Manastirliu.

Nga pjesëmarrësit u krijua rrethi blu si shenjë sensibilizimi në këtë fushatë që u bë ditën e sotme.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik prevalenca e Diabetit në Shqipëri në popullatën adulte është 1.9%, që do të thotë se kemi afërsisht 60 mijë diabetikë.

Në fakt numri duhet të jetë 2-3 herë më i lartë, pasi në disa depistime të kryera në Tiranë (2004, 2006, 2008, 2009,2010) prevalenca e Diabetit të padiagnostikuar ka qenë 3-4%, që do të thotë se në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë.

Mosha më prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjeç që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç.

Diabeti më i shpeshtë është diabet tip 2 me 90% dhe 10% diabet tip 1. Diabeti tip 1 është kryesisht te fëmijët dhe moshat e reja. Ky tip diabeti zhvillohet në përgjithësi papritur.

Shenjat e diabetit janë: urinim i shpeshtë ditën dhe natën, etje e shtuar, shtim oreksi, tharje goje. Diabeti jep ndërlikime si në enët e vogla të gjakut, por jep edhe ndërlikime aterosklerotike në enët e mëdha të gjakut.

Diabeti jep komplikacione në sy, këmbë, zemër, veshka dhe në tru, nëse shifrat e sheqerit në gjak nuk mbahen afër vlerave normale diabetit.

Diabeti mund të parandalohet, ndaj bëj jetë të shëndetshme, mbro të ardhmen tënde!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN