MENU
klinika

"Përmbi poezi përgjithësisht"

Dom Ndre Mjeda dhe mendimi i tij modern mbi poezinë

21.11.2018 - 12:54

Nga Andreas Dushi/

Dje, karshi ditëlindjes së Tolstoit, u kujtua edhe përvjetori i lindjes së klerikut gjuhëtar e shkrimtar, përkthyes e publicist Dom Ndre Mjeda. Për jetën e tij nuk ka çfarë të flitet, sepse jeta e tij flet vetë nëpërmjet asaj çfarë la pas. Saktësia gjuhësore, madhështia stilistike dhe perfeksioni metrik i Mjedës janë elementë që atë e kanë bërë jo vetëm të pavdekshëm, por të gjallë çdo ditë, strukur diku mes shkronjave që ne përdorim sot, punuar me aq përkushtim nga ai dhe miqtë e tjerë të Shoqërisë Bashkimi.

Në një ndër artikujt e shumtë që ka shkruar, Mjeda flet për poezinë, gjininë që aq mirë lëvroi dhe në të cilën, me vëllimin poetik “Juvenilja” shkëlqeu qysh në vitet e studimit në Austri.

Disa thonë se poezia asht të shprehunit e ndjesive të zemrës e të përfytyrimit. Por me kaq nuk diftohet ndryshimi i poezisë e i gojtarisë…

Kështu e fillon dom Ndreu shkrimin “Përmbi poezi përgjithësisht” në të cilin flet për natyrën e poezisë, mënyrën e të shkruarit, formën dhe përmbajtjen e saj. Qysh në fillim, Mjeda na thotë se jo çdo “e shprehun e ndjesive të zemres” është poezi. Ky është një mësim që një pjesë e madhe e “poetëve dhe poeteshave” të sotshëm duhet ta marrin parasyh.

Këto krijues, me libra ku lexon gjithçka përveç poezive, kishin mbushur plot banalitete stenda botuesish në Panairin që sapo kaloi, duke i lënë vizitorëve që vërtetë e duan librin një shije aspak të mirë.

Disa tjerë tue folë për poezi kujtojnë se masa (metri) asht nji gja e domosdoshme për poezi. Por ka shprehje të lidhuna me masë, me rrokje, theksa e rrima që s’mund të thohen përnjimend poezi… vazhdon Mjeda. Ai që ishte mjeshtri i metrikës në poezi, thotë se poezi nuk është gjithçka që lidhet me metrikë, por për të qenë e tillë, duhet të ketë edhe elementë të tjerë.

Auktorët e tyne [krijimeve të përmendura më sipër] munden me u thanë vjershtarë, por jo poetë… thotë që në atë kohë Mjeda, duke ndarë poezinë nga vjersha.

Të tillë mësime, dhënë thuajse një shekull më parë, akoma edhe sot vlejnë pasi shumë krijues, nisur nga fakti se shkruajnë pa lexuar, e quajnë veten poet e në të vërtet janë vjerëshëtarë.

Gjithkush që shkruan apo që do të kuptojë mirë një poezi, duhet të lexojë një sërë shkrimesh e shkrimtarësh e mes tyre, një vend të rëndësishëm zë edhe dom Ndre Mjeda.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët