Dikur, operatorët e mëdhenj celularë “notonin” në para. Një dekadë më parë, “Vodafone” dhe “AMC” fitonin shuma marramendëse, me norma fitimi bruto (treguesi EBITDA) që arrin në gati 60% të xhiros. Ato kohë sot duken vërtet të largëta dhe tregu i komunikimeve elektronike është më sfidues se kurrë për sipërmarrësit. Vitin e kaluar, operatori i katërt i telefonisë celulare, “Plus Communication”, u detyrua të tërhiqej nga tregu.
Ndërkohë, të tre operatorët e tjerë e mbyllën vitin financiar me humbje. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), vitin e kaluar tre operatorët më të mëdhenj të tregut humbën së bashku rreth 7.6 miliardë lekë ose rreth 59 milionë euro. Arsyet kryesore që e kanë kthyer këtë biznes me humbje për dy vitet e fundit janë konkurrenca e ashpër, rënia e të ardhurave nga shërbimet me shumicë dhe nevoja e vazhdueshme për investime.
“Telekom Albania”, humbje masive
Kompania me rezultatin më negativ për vitin e kaluar ishte “Telekom Albania”, që raportoi një humbje prej 5.4 miliardë lekësh. Kjo shifër i referohet rezultatin financiar përfundimtar, që nuk përcaktohet vetëm nga aktiviteti i komunikimeve elektronike, por edhe nga veprimtaritë e tjera, përfshi investimet financiare të operatorëve.
Konkretisht, “Telekom Albania” ka një portofol të konsiderueshëm investimesh në obligacione të grupit mëmë “OTE”. Në të shkuarën, ky ka qenë burim fitimesh të mëdha për “Telekom”. Duke qenë se bilancet e plota të kompanive nuk janë ende të disponueshme, mund të hipotizohet se një humbje kaq e rëndë për “Telekom Albania” lidhet edhe me zhvlerësimin e këtyre investimeve. Edhe operatori më i madh i tregut, “Vodafone Albania”, e ka mbyllur vitin 2017 me humbje të mëdha. Sipas shifrave të raportuara në AKEP, rezultati neto i “Vodafone” ka qenë me humbje në vlerën e 1.05 miliardë lekëve. Edhe për “Vodafone” ky është rezultati më i dobët në 15 vitet e fundit.
Me humbje e mbylli vitin 2017 edhe kompania më e madhe e shërbimeve fikse, “Albtelecom”. Kjo sigurisht që nuk është një surprizë: ky ishte viti i tetë radhazi që “Albtelecom” rezulton me humbje. Megjithatë, humbjet e “Albtelecom” u reduktuan në 1.14 miliardë lehtë, me një përmirësim të lehtë krahasuar me vitin 2016. Rezultati i “Albtelecom” është kushtëzuar nga aktiviteti me humbje në shërbimet e lëvizshme, por, edhe nga barra e rëndë e shpenzimeve financiare në bilanc. Në fund të vitit 2016, “Albtelecom” kishte mbi 16 miliardë lekë hua, nga të cilat 13 miliardë lekë ishin hua afatgjata.
Për vitin 2016, “Albtelecom” pati shpenzuar 1.3 miliardë për interesat e kredive, ndërsa besohet se këto shpenzime kanë qënë mjaft të larta edhe për vitin 2017.
Për ironi të fatit, i vetmi operator me fitim në tregun celular vitin e kaluar ishte “Plus”. Në vitin e fundit të aktivitetit, “Plus” raportoi fitime në vlerën e 868 milionë lekëve. Megjithatë, këto fitime kanë ardhur nga shitja e pothuajse të gjitha aseteve me vlerë të kompanisë, përfshi kohëzgjatjen e mbetur të licencave për përdorimin e spektrit, licenca që u blenë nga “Vodafone Albania” dhe “Telekom Albania”.
Volumi i tregut, më i ulëti në 15 vjet
Tregu i komunikimeve elektronike nuk po rritet më. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunkimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), të ardhurat totale të sipërmarrësve nga komunikimet elektronike për vitin 2017 vlerësohet të jenë 37 miliardë lekë, në rënie me rreth 13% në krahasim me vitin 2016, kur të ardhurat ishin rreth 42.4 miliardë lekë. Kjo është vlera më e ulët në 15 vitet e fundit.
Sipas AKEP, faktori më përcaktues në këtë rënie ka qenë rënia drastike e trafikut hyrës ndërkombëtar, me rreth 44%. Kjo ka sjellë një rënie të të ardhurave të operatorëve me 3.4 miliardë lekë, krahasuar me vitin 2016. Katër operatorët e mëdhenj të komunikimeve elektronike arkëtuan nga shërbimet me shumicë (terminimi i thirrjeve) 12.5 miliardë lekë, niveli më i ulët në tetë vitet e fundit. Të katër operatorët e mëdhenj të tregut kanë pësuar rënie të të ardhurave.
Të ardhurat e “Vodafone Albania” kanë rënë me 11%, megjithatë ky operator dominon bindshëm tregun, me të ardhura në vlerën e 14.6 miliardë lekëve, më shumë se të tre operatorët e tjerë të marrë së bashku. “Telekom Albania” u pozicionua sërish e dyta në tregun e shërbimeve të lëvishme, me një xhiro në vlerën e 9 miliardë lekëve, 13.5% më pak krahasuar me vitin 2016.
Edhe “Albtelecom” pësoi rënie të të ardhurave në segmentin e shërbimeve celulare, duke zbritur në 3.6 miliardë lekë, 7.6% më pak krahasuar me vitin 2016. Së fundmi, “Plus” realizoi të ardhura në vlerën e 2.5 miliardë lekëve, 19% më pak krahasuar me një vit më parë.
Investimet kanë “firuar”
Investimet në infrastrukturën e rrjeteve celulare u rritën krahasuar me vitin 2016, por ngelën në nivele shumë të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme. Vitin e kaluar, investimet totale në rrjetet celulare ishin 2.7 miliardë lekë, nga 1.1 miliardë lekë në vitin 2016. Sidoqoftë, në pjesën dërrmuese investimet gjatë vitit të kaluar i takonin “Vodafone Albania”, ndërsa operatorët e tjerë investuan në vlera mjaft modeste.
Një ndikim negativ në vitet e fundit ka dhënë shitja e aseteve të kompanisë “Plus”, për një total prej 1.2 miliardë lekësh në dy vjet. Sidoqoftë, edhe pa efektin e tërheqjes së “Plus”, investimet e operatorëve kanë rënë ndjeshëm. Në periudhën 2010-2015, operatorët investonin mesatarisht 6.25 miliardë lekë në vit në infrastrukturë rrjetesh. Në dy vitet e fundit, janë investuar mesatarisht 2.5 miliardë lekë në vit. Rënia e fitimeve po bën që operatorët të investojnë më pak teknologji dhe kapacitete të reja teknike.
Tarifat me shumicë ulen për të gjithë
Vendimet e marra nga AKEP muajin e kaluar pritet të sjellin një ndikim të konsiderueshëm në bazën e të ardhurave të operatorëve celularë. Që nga 1 dhjetori, tarifa e terminimit në rrjetet celulare do të ulet në 1.22 lekë për minutë, nga 1.48 lekë që është aktualisht. Në 1 dhjetor 2019, tarifat do të ulen sërish në 1.11 lekë për minutë.
Ulja e tarifave me shumicë krijon hapësira për më shumë konkurrencë në tarifat me pakicë mes operatorëve. Por, sidoqoftë, me tarifa terminimi simetrike, operatorët më të mëdhenj vazhdojnë të kenë një avantazh konkurrues për shkak të pjesës më të madhe të tregut dhe bazës më të gjerë të abonentëve.
Gjithashtu, AKEP vendosi të mosçlirojë operatorin më të vogël, Eagle Mobile, nga detyrimi për të aplikuar tarifa të njëjta brenda dhe jashtë rrrjetit. Duke qenë se ky operator nuk ka fuqi të ndjeshme në tregun me pakicë, një nga propozimet e shtruara në konsultimin publik ishte përjashtimi i tij nga detyrimi në fjalë. Konkretisht, operatori “Albtelecom” zotëron rreth 12% të të ardhurave nga shërbimet me pakicë të komunikimeve të lëvizshme.
Albtelecom: Të luftohet dominanca e Vodafone dhe Telekom
Konsultimi publik për masat e fundit solli edhe një ballafaqim argumentesh mes Albtelecom që kërkonte rivendosjen e asimetrisë në tarifat e terminimit dhe Vodafone Albania që e kundërshtonte me forcë një masë të tillë. Asimetria në tarifat me shumicë nënkupton tarifa më të larta interkoneksioni për operatorët më të vegjël, për të balancuar dominancën e operatorëve me pjesë të madhe tregu.
Në këndvështrimin e Albtelecom, dalja nga tregu e operatorit PLUS Communication dhe kalimi i spektrit të frekuencave tek operatorët Vodafone dhe Telekom Albania u ofron këtyre operatorëve avantazhe të tilla të cilat qartazi do të ndikojnë në rritjen dhe forcimin e mëtejshëm të pjesëve të tyre të tregut, duke sjellë si pasojë potencialisht tkurrjen e fuqisë ndikuese për konkurrencën e ndershme të operatorit të tretë në treg.
Sipas Albtelecom, konkurrenca bëhet akoma edhe më e vështirë, për shkak edhe të raportit të numrit të abonentëve të Albtelecom kundrejt dy operatorëve dominantë, raport i cili në praktikën e njohur të kësaj industrie garanton rregullisht trafik hyrës në operatorët e mëdhenj gjithmonë më të lartë se në rrjetin e operatorit me pjesë tregu të vogël. Për më tepër, vihet re një balancë e konsiderueshme negative në të ardhura për Albtelecom, e cila është e ndikuar jo vetëm prej raportit të numrit të abonentëve të Albtelecom krahasimisht me dy operatorët e tjerë dominantë.
Madje, Albtelecom është shprehur se në kuadër të mbrojtjes dhe nxitjes së konkurrencës së ndershme dhe në kuadër të parimit të proporcionalitetit në vendosjen e detyrimeve rregullatore, niveli i asimetrisë dhe vlerat e tarifave të terminimit të propozuara nga AKEP ishin të pamjaftueshme në raport me problemet komplekse dhe evidente të konkurrencës në tregun e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri. Rrjedhimisht, Albtelecom kërkonte një asimetri më të lartë tarifore, megjithatë pa e saktësuar këtë në deklarimet e konsultimit publik.
Vodafone, akuza të ashpra ndaj AKEP
Vodafone është shprehur se masat e propozuara në fazën e konsultimit public, për asimetri në tarifat e terminimit, do të pengonin investimet në tregun e komunikimeve elektronike, çka nuk do të sillte asnjë përfitim afatshkurtër apo afatgjatë për konsumatorin. Ajo ka akuzuar AKEP se me një sjellje totalisht të njëanshme synonte të zbatonte asimetrinë, pa asnjë përllogaritje të bazuar në kosto dhe asnjë justifikim të përshtatshëm objektiv.
Sipas Vodafone, është e papranueshme që AKEP të zbatojë standarde të dyfishta duke favorizuar Albtelecom dhe duke diskriminuar aktorët e tjerë si në tregun e telefonisë fikse dhe asaj celulare. Vodafone shprehet se riaplikimi i asimetrisë në favor të Albtelecom do të ishte në kontrast të plotë me praktikën europiane dhe legjislacionin e BE-së për disa arsye:
Albtelecom është i vetmi operator i përfshirë në tregun e telekomunikacionit që përfiton nga ndër-subvencionimi midis dy tregjeve fikse dhe të lëvizshme, në të cilat ai vepron; Albtelecom ka një pozitë të qartë mbizotëruese në tregun e telefonisë fikse duke kaluar 71%; pjesa e tregut të ardhurave të kombinuara i Albtelecom është mbi 20%; një shoqëri që vepron prej më shumë se 20 vitesh në tregun e telekomunikacionit dhe prej 10 vitesh në atë celular, nuk mund të trajtohet nga AKEP-i si një hyrës i ri në asnjë lloj rrethane.
Sipas Vodafone, Albtelecom ka përfituar nga asimetria në të shkuarën, gjë e cila e pengoi nga shndërrimi në një operator efiçent dhe është duke kërkuar përsëri asimetrinë në dëm të konsumatorëve dhe konkurrentëve të tij në tregjet fikse dhe ato celulare. Këto qasje në favor të Albtelecom, shkelin detyrime kyçe ligjore dhe konsiderohen nga Vodafone si diskriminuese dhe të rrezikshme për konkurrencën, në vend që ta ndihmojnë atë. Në fund, AKEP është tërhequr nga masat e propozuara dhe ka vendosur të ruajë simetrinë e tarifave të terminimit mes tre operatorëve.