MENU
klinika

Biblioteka e Qytetit dhe Provinca Françeskane

E shtuna me nadje e mbramje kulturore në Shkodër

04.11.2018 - 18:02

Nga Andreas Dushi

Ditën e shtunë, qyteti i Shkodrës u kthye pas në kohë duke ndjekur traditën e të parëve të tij. Qysh nadje sikurse shkodranët thojnë e deri në mbramje, në qytet atmosfera e kulturës ishte më e gjallë se kurrrë. Intelektualë dhe dashamirës të librit mbushën plot sallën e Bibliotekës së Qytetit dhe atë të Teatrit “Illyricum” pranë Kuvendit Françeskan në Shkodër.

Nadje heret, pranë Kuvendit Françeskan u përurua dhurata që familja Kamsi i bëri Bibliotekës së këtij institucioni. Kjo dhuratë është jeta e kësaj familjeje, pra biblioteka e saj e cila përmban me mijëra vëllime, mes tyre disa shumë të rrallë si botimet e hershme të “Lahuta e Malcis”, “Historia e Shqypnisë”, “Juvenilia” e të tjera. Karshi bibliotekës, Myriam Kamsi dhuroi edhe arkivin personal të familjes duke filluar qysh me dhuratat e personaliteteve si Gurakuqi, Palaj, Nikaj e të tjerë për martesën e prindërve të saj e duke përfunduar me dekoratat e shumta që i censhmi Willi Kamsi ka marrë gjatë jetës në punën studimore dhe shërbesat diplomatike.

Aktiviteti u zhvillua nën moderimin e Atë Mirash Marinaj dhe në diskutimin mbi peronalitetet e familjes Kamsi morën pjesë Arqipeshkvi i Shkodrës Mons. Angelo Massafra, Provinciali e Françeskanëve Shqiptarë Atë Aurel Gjerkaj, studiuesi i njohur Bardhyl Demiraj, drejtori i Bibliotekës së Qytetit të Shkodrës Gjovalin Çuni si dhe përgjegjësi i botimeve françeskane Atë Vitor Demaj.

Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Myriam, e bija e Gjon Kamsit dhe motra e Willit tha se familja e saj dhe françeskanët kanë qenë gjithnjë miq si dhe se ndjehet e nderuar që po e çonte në fund amanetin e familjarëve të saj për ta dhuruar bibliotekën e tyre ndër françeskan.

Pas aktivitetit erdhi zhegu, koha e pushimit për shkodranët. Përposë ndonjë “shkodrani të vonë”, rrugët e qytetit nuk shkelen nga askush. Të gjithë pushojnë në pritje të aktivitetit që do të zhvillohet në mbramje.

Në Bibliotekën “Marin Barleti” u organizua nata e fundit e “Festivalit Poetik të Shkodrës”. Në natën e parë i ftuar kam qenë unë ku kam diskutuar mbi krijimtarinë time duke e përmbledhur në referatin me temë “Në fillim ishte fjala”, ndërsa në të fundit u organizua një diskutim rreth figurës së Pjetër Gjinit.

Aktiviteti ishte muzikoro – tematik, ku interpertimet artistike u ekzekutuan nga artistë amator, ndërsa kumtesën mbi veprën e Pjetër Gjinit (për të cilën do të flasim në ditët në vijim) e mbajti prof. dr. Njazi Kazazi.

Dje Shkodra tregoi se di të jetë e para kur fjala vjen të kultura.  Me modelin e djeshëm, Shkodra përparon drejt asaj të cilën ëndërruan figurat e mëdha të Rilindjes dhe për të cilën punuan!