Peshëngritja shqiptare nuk është më ajo e dekadës së fundit ku merreshin medaljet njëra pas tjetrës. Pas vendit të gjashtë dje të Briken Caljes, sot ka qenë radha e Erkand Qerimjat në Botërorin e Peshëngritjes që po zhvillohet në Ashgabat të Turkmenistanit.
Peshëngritësi shkodran ka garuar sot në Baterinë B të peshës 81 kg. Paraqitja e tij nuk ka qenë ndër më të mirat, pasi siç ka ka njoftuar vetë peshëngritësi, vinte nga një periudhë dëmtimi. Qerimaj, në këtë Botëror, ka realizuar vetëm 2 nga 6 provat që kishte në dispozicion, në të dy stilet.
Për momentin, duke qenë se është ende edhe Bateria A për t’u zhvilluar sot pasdite, Erkand Qerimaj është i klasifikuar në vendin e 16-të në dygarësh, me 330 kg në total (150 në shkëputje dhe 180 në shtytje).
Në stilin e shkëputjes, shkodrani dështoi në përpjekjen e parë për të ngritur 150 kg, peshë të cilën e realizon në provën e dytë dhe më pas heq dorë nga prova e tretë. Ndërsa në shtytje Qerimaj realizon me sukses provën e parë me 180 kg dhe më pas tërhiqet, duke mos u ngjitur në pedanë në dy provat e tjera.
Sot pasdite, po në këtë peshë, 81 kg, do të garojë në Baterinë A edhe Daniel Godelli, që do të synojë një vend në zonën e medaljeve.