MENU
klinika

Tregtia e jashtme

Eksportet rriten me 16%

19.11.2018 - 12:16

Eksportet shqiptare u rritën përsëri gjatë muajit tetor, duke ndihmuar në uljen e mëtejshme të deficitit tregtar të vendit. Sipas Institutit të Statistikave, eksportet e mallrave arritën vlerën 30 mld lekë,

duke u rritur me 21.2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për 10-mujorin, Shqipëria eksportoi mallra në vlerën e afro 262 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 16%.

Eksportet e grupit “minerale, lëndë djegëse, energji” u rritën me 37% krahasuar me 10-mujorin e vitit të kaluar. Në gjysmën e parë të vitit, kjo i deyrohet sidomos eksporteve të mëdha të energjisë. Ndërsa në muajt e fundit, rritja e eksporteve të këtij grupi është kryesisht kontribut i lëndëve të para.

Por, grupi që dominon gjithnjë e më shumë eksportet shqiptare është “tekstile dhe këpucë”, me eksporte në vlerën e 104 miliardë lekëve ose rreth 825 milionë euro. Fasonet po lulëzojnë më shumë se kurrë dhe sjellin mbi 40% të eksporteve totale të Shqipërisë.

Deficiti tregtar gjatë muajit të kaluar ra me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për 10-mujorin, deficiti tregtare i vendit ishte 263 miliardë lekë, rënie me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ulja e deficitit tregtar nënkupton një kontribut më të lartë të sektorit të jashtëm në rritjen ekonomike të vendit.

Rënia e deficitit po vjen edhe falë një ecurie të vakët të importeve. Për tetorin, importet u rritën me vetëm 1% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Krahasuar me10-mujorin e vitit të kaluar, importet janë rritur me më pak se 3%. Pjesërisht, rënia e importeve është ndikuar edhe mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit valutor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN