Në fshatin Shushicë të Elbasanit, janë 18 familje të lagjes ‘Cogë’, që rrezikohen nga ujërat e lumit Shkumbin, i cili tashmë nuk rrezikon vetëm tokat bujqësore, por edhe banesat.
Banorët kërkojnë një ndërhyrje emergjente, e më pas ndërtimin e pritave, që do të bënin të mundur shpëtimin e kësaj zone.
Prej shumë vitesh, prerjet e pyjeve dhe gërryerjet e shtratit të lumit kanë çuar në devijimin e këtij të fundit, drejt zonave të banuara.
Aktualisht në këtë zonë, në Shushicë të Elbasanit, rrezikohen 300 hektarë tokë bujqësore dhe banorët u tremben shirave që pritet të vijnë.
Po ashtu, edhe rruga e fshatit rrezikon të përmbytet nga ujërat e lumit Shkumbin. Pritet një reagim i Bordit të Kullimit, në lidhje me një ndërhyrje të mundshme në këtë zonë.