Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për ta emëruar gjeneralin rezervist Sandër Lleshin si zv.ministër të Brendshëm (pra zëvendës ministër të parë) me kompetencat e ministrit, pas refuzimit të presidentit Meta për ta dekretuar në postin e ministrit.
PD thotë se këmbëngulja e Edi Ramës për emërimin e Sandër Lleshit në drejtimin e Ministrisë së Brendshme tregon se Rama e kërkon me çdo kusht kontrollin e Ministrisë së Brendshme.
“Edi Rama nuk mund ta luftojë Edi Ramën, prandaj i duhet një kukull si Sandër Lleshi për të mbrojtur veten dhe për t’i siguruar paprekshmëri krimit”- thotë në reagimin e saj Partia Demokratike.
Deklarata e plotë e PD
Këmbëngulja e Edi Ramës për emërimin e Sandër Lleshit në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, konfirmon qëndrimin e opozitës se Rama e ka jetike kontrollin e plotë të Ministrisë së Brendshme.
Duke qenë vetë de facto Ministër i Brendshëm, Edi Rama ka më shumë mjete për të mbrojtur Olsi Ramën, Vangjush Dakon, Taulant Ballën, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetaj dhe këdo tjetër anëtar të bandës së tij në pushtet.
Emërimi i figurës më të papërshtatshme për të drejtuar Ministrinë e Brendshme provon që Edi Ramës nuk i intereson lufta kundër krimit të organizuar, por mbrojtja e tij me çdo çmim.
Është fakt që deri më sot asnjë emërtesë e Edi Ramës në krye të Ministrisë së Brendshme nuk e ka luftuar krimin e organizuar, por ka bashkëpunuar dhe e ka mbrojtur atë me porosi direkte të Edi Ramës.
Edi Rama nuk mund ta luftojë Edi Ramën, prandaj i duhet një kukull si Sandër Lleshi për të mbrojtur veten dhe për t’i siguruar paprekshmëri krimit.