MENU
klinika

Jo aq keq sa mendohet...

Euro mbush 20 vjeç

29.11.2018 - 15:10

Në Janar 2019 Euro mbush 20 vjeç. Tashmë “në moshën e pjekurisë”, ajo është valuta e dytë më e madhe në botë. Pas 2 dekadash të kritikave të vazhdueshme dhe projeksioneve për dështim, valuta e përbashkët europiane ka jetuar më gjatë se ç’parashikonin disa prej pesimistëve më të mëdhenj, kur u krijua në vitin 1999.

Sondazhet tregojnë se ka fituar mbështetje të madhe publike gjatë këtyre 20 viteve. Qeveritë e disa prej vendeve me më shumë borxh të Eurozonës, kanë kursyer triliona euro për shkak të uljes së kostove të huamarrjes. Së fundmi, Banka Qendrore Europiane ka qenë shumë më fleksibël dhe inovatore përballë krizave financiare, sesa prisnin edhe mbështetësit më të mëdhenj të vetë institucionit kur u projektua në fund të viteve ‘90.

Në vitin 2010, vit ku Greqia dhe Irlanda morën paketën e parë të ndihmave ndërkombëtare prej miliarda euro, vetëm 51% e të anketuarve nga sondazhi vjetor i Komisionit Europian, mendonin se euro është pozitive për vendin e tyre. Sondazhi i vitit 2018, i publikuar në muajin Nëntor, tregoi se 64% e të anketuarve në të gjithë Eurozonën argumentonin se euro është pozitive për vendin e tyre dhe thuajse 75% thanë se është pozitive për të gjithë Europën.

Këto janë nivelet më të larta të suportit, që kur Komisioni Europian nisi të ndërmarrë sondazhet në vitin 2002. Vetëm në 2 vende, Lituani dhe Qipro, shumica e njerëzve pjesëmarrës në sondazh mendonin se euro është diçka negative për vendin e tyre.

Një rast të veçantë përbën Greqia. Pavarësisht krizës së thellë ekonomike dhe dëmit social që shkaktuan kushtet e ashpra të kredisë së shpëtimit, 60% e grekëve thanë në sondazhin e vitit 2018 se euro është diçka pozitive për vendin dhe 71% e mendonin këtë për të gjithë Europën.

Qasja në Itali është përmirësuar gjithashtu.  Ekonomia italiane ka qenë “anemike” prej vitesh. Vendi mban nivelin e tretë më të madh të borxhit në raport me Produktin e Brendshëm Bruto në botë dhe qeveria aktuale populiste ka kërcënuar gjatë fushatës, me dalje nga Eurozona. Megjithatë, 57% e italianëve mendojnë se euro përbën diçka pozitive për vendin dhe 68% e mendojnë këtë për të gjithë Europën, sipas sondazhit të Komisionit Europian.