Shqiptarët e Maqedonisë kanë nisur një fushatë që është përhapur nëpër rrjete sociale, me qëllim për të ndërgjegjësuar politikanët që shqiptarët të njihen si shtet-formues, teksa vendi po punon për ndryshimet kushtetuese, në bazë të Marrëveshjes së Prespës.
Në qendër të fushatës “Don’t you call 20% me, I’m Albanian” (Mos më quaj 20%, unë jam shqiptar), janë kërkesat për partitë politike që të japin kontributin e tyre dhe që përmes amendamenteve kushtetuese të propozojnë në Parlament ndryshimin në kushtetutë të emërtimit “bashkësia etnike mbi 20%”, të cilin e quajnë term fyes, dhe zëvëndësimin e këtij termi me emërtesën “shqiptarët”.
Fushata në Facebook gjithashtu synon edhe në zëvendësimin në pjesët ku thuhet “gjuha e bashkësisë etnike mbi 20%” dhe në vend të saj të jetë “gjuha shqipe”.
Sipas organizatorëve, qëllimi i kësaj fushate, para se të jetë politike është humane. Është nismë qytetare, që ka për qëllim sensibilizimin e opinionit, brenda dhe jashtë vendit, rreth një çështjeje shumë të ndjeshme që po i mundon shqiptarët e Maqedonisë.
“Ne besojmë se fuqia e sovranit është pakufizuar, prandaj nëpërmes kësaj fushate dhe përkrahjes së madhe që po gjejmë tek Ju, do të arrijmë të bëjmë presionin e nevojshëm ndaj atyre që bëjnë politikën vendore dhe na përfaqësojnë në institucionet e shtetit. Të bëjmë presionin e nevojshëm që çështja që kaq vite me radhë na mundon dhe nënçmon, të zgjidhet njëherë e mirë”, thonë ata.
Mesazhet tona do të dërgohen edhe përfaqësuesve të shteteve tjera të akredituara në Maqedoni, sidomos atyre më me ndikim në politikën vendore, SHBA dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, që të binden në kërkesën e popullit shqiptar të Maqedonisë u shprehën shprehen organizatorët.
“Tani që është hapur procedura për ndryshimet kushtetuese dhe po pritet nga qeveria që të dorëzojë propozim amandamentet, që duhet të diskutohen dhe votohen, ne e cilësojmë si momentin e duhur për ta zgjidhur çështjen tonë dhe të fillojmë të ndërtojmë një shtet me shoqëri të barabartë. Duam diçka shumë të thjeshtë dhe thelbësore”, janë shprehur organizatorët.