MENU
klinika

Detajet

Korrupsioni/ Gjonaj ‘shkrin’ Inspektoratin e Mjedisit në Tiranë

01.11.2018 - 13:27

Furtunë në Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit në Tiranë, shkarkohen nga puna 15 zyrtarë, mes tyre kryeinspektori, 8 inspektorë pyjorë dhe 6 inspektorë mjedisorë, për akte korruptive apo abuzime me detyrën.

Rezultatet e Task Forcës Antikorrupsion i njoftoi si çdo javë Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj që është njëherësh Koordinatorja Kombëtare e Antikorrupsionit.

Gjonaj theksoi se pas denoncimeve apo informacioneve që qytetarët kanë dhënë në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, janë kryer kontrolle dhe inspektime edhe Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në Tiranë si dhe Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor – Dega Rajonale Tiranë, ndërsa në total janë rekomanduar 36 masa disiplinore.

Në raportin e përjavshëm ajo e vuri theksin edhe tek rezultatet e Policisë së Shtetit, e cila në bashkëpunim me organin e prokurorisë kanë evidentuar 27 vepra penale në fushën e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të administratës publike dhe janë proceduar penalisht 37 autorë.

Gjonaj tha se është rekomanduar largimi nga detyra për Kryeinspektorin e Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit – Drejtoria Rajonale e Qarkut Tiranë si dhe për 8 inspektorë pyjorë dhe për 6 inspektorë mjedisorë të po këtij institucioni.

Për këtë institucion janë rekomanduar gjitashtu edhe 13 masa të tjera disiplinore.

Ndërkohë në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në Tiranë janë rekomanduar 8 masa disiplinore për staf drejues dhe administrativ të këtij institucioni.

Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Task Forcën Antikorrupsion ka dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, një raport lidhur me shkeljet e gjetura në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për një procedurë të prokurimit publik.

“Nga kontrolli kanë rezultuar veprime të dyshimta të Komisionit të Vlerësimit të ofertave, çka ka bërë që raporti i kontrollit t’i dërgohet Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Një punë mjaft të mirë dhe me rezultate konkrete ka bërë Policia e Shtetit, e cila në bashkëpunim me organin e prokurorisë kanë evidentuar 27 vepra penale në fushën e korrupsionit dhe abuzimit në detyrë nga ana e punonjësve të administratës publike”, u shprej ministrja Gjonaj.

Sipas saj, janë proceduar penalisht 37 autorë, nga të cilët:
– Arrestuar dhe ndaluar 4 autorë;
– 30 prej tyre ndiqen në gjendje të lidheautorë;
– 3 prej tyre janë shpallur në kërkim;

Në funksion të hetimeve administrative në burgje, është bërë e mundur të evidentohen dhe ndëshkohen disa raste të shkeljes së ligjit dhe shpërdorimit të detyrës nga punonjësve të administratës së burgjeve.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve ka rekomanduar marrjen e masave administrative me akuzën për shkelje të ligjit dhe shpërdorim të detyre për 3 drejtues të Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale:
– 1 Drejtor
– 1 Shef Policie burgu
– 1 Shef i Regjimit të Brendshëm

“Këto rezultate dhe efekti i drejtëpërdrejtë që kanë ato në perceptimin e publikut për nivelin e korrupsionit në vend, na motivojnë për të vazhduar me të njëjtën këmbëngulje dhe të njëjtën ashpërsi ndaj kujtdo punonjësi të administratës apo qytetari që do të kryejë akte korruptive”,- nënvizoi ministrja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN