MENU
klinika

Kostot e Avokaturës së Shtetit

Gjyqet i kushtojnë shtetit 1.4 milionë euro

11.11.2018 - 10:55

Këtë vit shteti shqiptar do të paguajë 1.4 milionë euro për përfaqësimin në çështje gjyqësore.

Nga analizat e Avokaturës së Shtetit, kosto për çdo asistencë në sallat e gjyqeve vitin e kaluar ishte 11 mijë lekë për vitin 2017, për një total prej 142 milionë lekësh. Kosto do të rritet më tej për vitin 2018. Avokatura e Shtetit planifikon që kosto për gjyq të arrijë në 15 mijë lekë për vitin 2018, për të shkuar në total në 175 milionë lekë ose rreth 1.4 milionë euro.

Këtu bëhet fjalë vetëm për kostot e asistencës juridike në mbrojtjen e interesave pasurore të Shtetit Shqiptar, nëpërmjet këshillimit dhe përfaqësimit në çështjet gjyqësore në të cilat është palë një organ i administratës shtetërore ose Republika e Shqipërisë. Aty nuk përfshihen kostot për arkën e shtetit në rastet e gjyqeve të humbura, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

Sipas të dhënave zyrtare të Avokaturës së Shtetit, për vitin 2017 ajo ka siguruar në rreth 13,500 gjyqe Asistencë juridike Institucioneve Shteterore dhe Enteve Publike nëpërmjet këshillimit dhe përfaqësimit në Gjykatat Kombëtare e Ndërkombëtare.  Për katër muajt e parë të vitit 2018, Avokatura e Shtetit ka asistuar në 4,300 përplasje gjyqësore institucionet publike, shifër që, por sipas saj, pritet të arrijë në 12 mijë në fund të vitit.