Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të bëhet, por vetëm për njohje reciproke dhe jo për hapje të temave të reja pasi janë rrezik për Kosovën.
Haradinaj këto komente i bëri në një ligjëratë, të cilën e mbajti para studentëve të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës.
“Kemi nevojë për dialog. Unë jam për dialog me Serbinë, pasi heqja e temave nga tavolina bëhet në disa mënyra. Nëse je i zoti e bën ligjin vet nëse s’je… E kemi dëshmuar në luftën e vitit 1999. Nuk kemi çështje të hapur me Serbinë për territore por vetëm njohje reciproke. Kemi interes për njohje nga Serbia dhe duhet të negociojmë njohjen, por në paprekshmëri për atë që kemi krijuar, pasi nëse hapet kjo temë do të jetë rrezik”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai foli edhe për sfidat që e presin Kosovën, si anëtarësimi i saj në INTERPOL si dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e saj.
“Qeverisja që e udhëheqim nuk është perfekt. Nuk është një qeveri që po mashtron njerëzit. Është një qeveri që nuk i është frikësuar temave të mëdha si për shembull, INTERPOL. Anëtarësimi i Kosovës në Interpol është mundësi që të luftohet krimi. E kemi edhe liberalizimin e vizave. Jemi në dinamik, nuk jemi tërheq nga kjo temë. Te arsimi nuk kemi arrit mjaftueshëm pasi në tavolinë kam gjetur tema të mbi një dekade”, theksoi Haradinaj. /Konica.al/