MENU
klinika

Nga Luan Rama

Historia e jashtëzakonshme e Rajmond Dunkan në Shqipëri

08.11.2018 - 11:43

Raymond Duncan (Rajmond Dunkan) bën pjesë në atë elite amerikane e cila u shfaq në Parisin e lirë e antipuritan që në fillimet e shekullit XX, ku veç poetit Oscar Wilde, filozofit Ezra Pound, autorit të “Uliksit” James Joice, që u botua së pari në Paris nga amerikania tjetër Silvya Beach, drejtuese e librarisë “Shakespeare and Company”, ishin më pas dhe Hemingway, Dos Pasos, Anderson, Miller, Orwell, Man Ray e shumë të tjerë.

Në 31, Rue de la Seine, në zemër të Parisit, dy hapa nga hoteli ku atëherë jetonte Oscar Wilde, ka një pllakë përkujtimore sipër portës së një ndërtese, ku shkruhet: «Në këtë shtëpi ku më 1831 ka jetuar George Sand, ka banuar gjithashtu dhe Raymond Duncan nga viti 1926 deri në vitin 1966, ku krijoi «Akademinë».

Pikërisht në Paris Rajmond Dunkan, bashkë me të motrën, balerinën e famshme Isadora Dunkan, shpalosi personalitetin e tij filozofik dhe artistik dhe u bë një nga figurat interesante parisiane të gjysmës së parë të shekullit XX, jo vetëm me krijimin e kësaj akademie por dhe me krijimtarinë e tij piktoriale dhe letrare, duke botuar libra poetikë, drama për teatër, etj.

Jo më kot, kur «New York Helard Tribun» dërgoi regjisorin e famshëm Orson Wells, për një film dokumentar të titulluar «Përreth botës», një nga intervistat ishte ajo me Rajmond Dunkan, çka tregon dhe për prestigjin e këtij intelektuali të dorës së parë.

Ai u bë spikatës në jetën parisiane edhe për faktin se gjithë jetën e tij, pas zbulimit të Greqisë gjatë vizitës së tij të parë atje, ai u vesh me një tunik të gjatë të bardhë, vuri në këmbë sandalet, të cilat i prodhonte vetë dhe nuk i hoqi ato kurrë nga këmbët deri sa vdiq.

Por Rajmond Dunkan, ky artizan i profesioneve të para të botës njerëzore dhe artist i rafinuar, pati një lidhje të fuqishme me Shqipërinë dhe shkak për këtë ishte Lufta Ballkanike si dhe beteja për Janinën midis turqve dhe grekëve, kur mijra refugjatë shqiptarë do të rendnin udhëve drejt Sarandës.

Por cili ishte Rajmond Dunkan?

Rajmond Dunkan lindi në San Francisco më 1874 në një familje ku i ati ishte bankier dhe nëna e tij, Mary Dora Gray, motra e një senatorit të Kalifornisë, ishte muzikante.

Që në fëmijërinë e tij ata mbetën pa mbështetjen e të atit, i cili iku me një grua tjetër duke e lënë familjen e tij në mjerim. Jeta e Dunkanëve ishte një jetë e varfër dhe e trishtë, në një rrugë të humbur dhe të errët në lagjet e irlandezëve, në „Geary Street“ dhe në „Taylor Street“, ku më 1878 kishte lindur Dora Angela Duncan dhe pas saj Rajmondi dhe vëllai me motrën tjetër.

Rajmondit i kishin mbetur të fiksuara fytyrat fëminore të Isadorës e Elisabetës dhe vëllait të tij, Agustinit. Sa herë e kishte pyetur të ëmën për gjyshërit e tij, të cilët kurrë nuk i kishte parë, e ëma i përgjigjej se ata kishin ardhur në Amerikë në kohën e urisë së madhe në Irlandë, në vitin 1848.

Meqë jeta e tyre u bë e vështirë, ata vendosën të nisen drejt Europës dhe fillimthi drejt Londrës. Por dhe aty, vështirësitë ishin të mëdha dhe me spektaklet e pakta të nënës dhe Isadoras me pjesë teatrale, ata s’mund të jetonin. Madje disa kohë përfunduan në „Green Park“, ku mblidheshin të pastrehësit, lypësit…

Atëherë në vitin 1898, ata ndërmorën udhëtimin drejt Athinës, ku vendosën të jetonin si spartanë. Ishte Rajmondi ai që punonte dhe krijonte gjithçka me duart e tij: enët prej balte, qilimat, mobiljet prej druri, hapja e një uji për ujë të pishëm, zbulimi i këngëve bizantine e gregoriane të kishave ortodokse, etj.

Gjithë familja merrej me art. Rajmondi atje u dashurua me një athinase të quajtur Penelopa Sikelianu dhe më pas gjithë familja e la Athinën.

Një pjesë u kthye drejt Amerikës, ndërsa Rajmondi, Penelopa dhe Isadora shkuan ca kohë në Berlin. Më 1909, Rajmondi bëri një turne të gjatë nëpër Amerikë me spektaklet e tij të dansit antik grek, përzier me poetikën dhe këngët tradicionale.

Po atë vit, Isadora zbarkoi në skenat parisiane, në teatrot e „Rue Gaité“ të

Montparnasse, ku në skenë kërcente zbathur dhe me tunikun e saj të hapur si në teatrot antike. Më 1911 Rajmondi zbriti në një nga stacionet e trenit në Paris. Një epokë e re niste për të. Por shpejt, një ngjarje do ta tërhiqte përsëri drejt Ballkanit: tragjedia e të motrës dhe Lufta Ballkanike dhe Shqipëria.

Shqipëria në zi

Deri tani nuk kam gjetur shkrime e kujtime te Rajmond Dunkanit rreth Shqipërisë dhe qëndrimit të tij atje. Të gjitha informacionet janë marrë nga kujtimet e motrës së tij Isadora Dunkan, e cila për nga frymëzimet antike dhe sharmi i trupit të saj ishte nga balerinat më me emër në Paris.

Në librin e saj me kujtime „Jeta ime“ të shkruar në vitet ‘20 të shekullit XX, ndër të tjera, pasi përshkruan qëndrimin dhe udhëtimet e familjes së saj nëpër Greqi, kujton dhe ardhjen e tyre në jug të në Shqipërisë. Në fakt, asaj sapo i ishin mbytur aksidentalisht në lumin e Senës dy fëmijët e saj të vegjël bashkë me shërbyesen e tyre.

Isadora donte të vriste veten dhe të hidhej në Seine, por Rajmond erdhi në Paris ta marrë dhe ta çojë në një vend ku vuajtjet dhe tragjeditë njerëzore ishin më të mëdha.

“Rajmondi erdhi nga Shqipëria. Si zakonisht ishte gjithë entusiazëm: «Atje, i tërë ai vend është në një mjerim të plotë. Fshatrat janë shkretuar, fëmijët vdesin urije. Si mund të kesh një qëndrim kaq egoist?- më tha ai, – eja të na ndihmosh t’i ushqejmë fëmijët e tu japim shpresë atyre grave…

Fjalimi i tij pati efekt. Vesha sandalet dhe rrobën time të gjatë greke dhe e ndoqa Rajmondin në Shqipëri. Në një mënyrë shumë origjinale ai kishte menduar të ngrinte një kamp për të ndihmuar refugjatët shqiptarë”

Tek Rajmondi kishte një lidhje të çuditshme me natyrën, një lidhje mjaft të fortë e të qenësishme dhe kjo gjë Isadoras i pëlqente shumë. Si dhe të tjerët, edhe Isadora e konsideronte atë si “bir të natyrës”. Të ecje zbathur, të ngroheshe rreth zjarrit në natyrë, të qulleshe në shi, për të ishte diçka shumë njerëzore.

Njeriu kishte lindur i xhveshur përballë natyrës… Çdo gjë tjetër Rajmondit i dukej konvencion, prandaj dhe ai kërkonte t’i thjeshtonte gjërat gjithnjë. Një jetë e thjeshtë dhe sokratike. Madje i mjaftonte dhe një trung për të mbështetur kokën për të fjetur edhe pse bota atë kohë njoftonte shpikje të mëdha: ballonet gjigande «Zepellin» që udhëtonin në qiell, elektrokardiografi, radio, llampa prej mërkuri, ajri i kondicionuar, kamera me ngjyra, madje dhe frigoriferi…

Po, Rajmondi nuk e njihte frikën e vdekjes. Vdekja për të ishte po aq normale sa dhe lindja. „E di se kur do iki një ditë nga kjo botë, unë do të iki i gëzuar“, – thoshte shpesh ai.

Nga të gjithë njerëzit e familjes, madje dhe më shumë se nëna. Për Isadoran Rajmondi ishte njeriu më i afërt, më intimi dhe që e kuptonte më shumë botën e tij. Rajmondi ishte një tip special dhe mjaft i thjeshtë. Mbante flokë të gjata që i binin mbi supe, rrinte zbathur dhe me sandale dhe në trup mbante të hedhur një rrobë të madhe si veshjet e grekëve të lashtë të kohës së Antikitetit.

Por mbi të gjitha ishte një natyrë artisti: shkruante poezi, pjesë teatri, luante teatër me Isadorën në Amerikë dhe Angli. Madje si dhe në Greqi ai vazhdonte të prodhonte mobiljet e thjeshta prej druri, etj. Ishte një bir i vërtetë i natyrës.

Shqipëria ishte thjesht një tokë pa zot, një shesh-beteje. Si mund t’i ndihmonte ata të mjerë që donin të mbanin frymën me një kothere bukë?

“Rajmondi shkoi në pazarin e Korfuzit, bleu lesh, e ngarkoi atë në një anije të vogël që e kishte marrë me qera dhe e transportoi në Santa Quaranta, në portin kryesor ku ishin mbledhur refugjatët. – Po si do t’i ushqesh gjithë këta të urritur? Me lesh? – i thoja Rajmondit. – Dora, prit dhe do të shohësh…

Po t’u sjell bukë, ajo do të ishte e mjaftueshme veçse për një ditë, por unë u sjell lesh sepse dua të bëj diçka për të ardhmen e tyre….Ne shkuam në bregun shkëmbor të Santa Quarantës, ku Rajmondi kishte ngritur kampin e tij për fshatarët.

Në një afishe ai kishte shkruar: “Ato që duan të tjerrin lesh, do të shpërblehen me një dhrahmi në ditë”. Kështu, në molin e Skelës (Sarandë), Rajmondi zbarkoi një mori dëngjesh me lesh. Shumë shpejt Rajmondi u rrethua nga gratë e mjera. Lajmi kishte marrë dhenë.

Gratë, shumica të veshura në të zeza, qëndronin të heshtura duke fshehur padurimin e tyre dhe dramën e madhe që përjetonin.

“Shumë shpejt u krijua një rradhë e atyre grave të dobëta kockë e lëkurë dhe të uritura. Me paratë që fitonin, blinin misrin që qeveria greke e shiste në port.

Në Sarandë unë isha dëshmitare e shumë skenave tragjike. Një ditë, një nënë, ishte ulur rrëzë një peme me foshnjën e saj në krahë dhe tri-katër fëmijë të tjerë të vegjël i ngjiteshin rrotull, të urritur dhe pa mbrojtje. Shtëpia e tyre ishte djegur. I ati dhe i vëllai i saj ishin vrarë nga turqit, bagëtinë ua kishin vjedhur, prodhimet bujqësore ua kishin shkatërruar.

Ajo nënë e mjerë kishte ngelur e vetme me fëmijët që i kishin mbetur. Pikërisht për këta fatkeqë Rajmondi shpërndante thasë me patate. Në kampin buzë detit ne ktheheshim të dërmuar nga lodhja. Por një lumturi e habitshme më depërtonte gjithë qenien.

Fëmijët e mi kishin ikur njëherë e përgjithmonë, por tashmë kishte të tjerë fëmijë që vuanin dhe kishin uri. A nuk duhej të jetoja për ta?

Padyshim që është e vështirë ta rikrijosh imazhin e atij gjiri të vogël me pak shtëpi, Skelën (Sarandë siç do të quhej më vonë) ku herë pas here një anije vinte nga Korfuzi per të sjellë herë ndonjë gazetar, herë protestanë amerikanë që vinin nga Korça e herë ndonjë zyrtar e herë grupin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.

Tendën e tyre ata e kishin vendosur në shpat, jo larg nga bazilika e rrënuar e Santi Quaranta, por që muret e saj kishin mbetur ende në këmbë në mënyrë madhështore.

“Rajmondi,- vazhdon në kujtimet e saj Isadora Dunkan, – vëllai im i vogël dhe Penelopa kishin shkuar në këmbë në Epir, në Janinë Ç’kurajo!… Nëse do të jetë e mundur ne do të lançojmë një thirrje për t’i ndihmuar ata njerëz. Si mendon?

Thonë se janë njëmijë familje që po vdesin nga uria. Mendoj se mund të shkoja edhe unë atje dhe të bëja diçka. Madje kam ëndërruar të krijoj një shkollë dansi, një koloni artistësh. Para meje, nga ana tjetër, shtrihen malet e larta që duket sikur lundrojnë në kaltërsinë midis qiellit dhe Parajsës.

Duket si një imazh i Tokës së Premtuar. Nganjëherë, kur i vështroj këto male, më duket sikur dhe unë kam vdekur bashkë me fëmijët e mij, më duket sikur jemi në Parajsë, por duke i ndjerë pranë, atëherë dhimbja rivjen. Sytë e mi nuk do t’i shohin ata kurrë më.

Duart e mia kurrë s’do t’i prekin më dhe unë i rishoh ende, që të dy, tek më bëjnë shenjë me duart e tyre të vogla nga vetura. Dhe atëherë dua të klith. Por në fakt është jeta që vuan?…”

Ishte kohë lufte dhe refugjatët me mijra vazhdpnin të dyndeshin drejt Sarandës dhe fshatrave përreth. Në një letër që i dërgonte Helenës, nënës së Tedit, ish burrit të saj, ndër të tjera Isadora i shkruante: “E shtrenjta Elenë.

Ç’lumturi që mora letrën tuaj. Gjithmonë kam menduar për ju, por një ditë do t’ua tregoj se si, pasi nuk mund t’ua përshkruaj. Bashkë me vëllain, Rajmondin, kemi udhëtuar maleve rreth 50 milje në ditë, duke fjetur në qiell të hapët. Kemi parë shumë fshatra të djegur.

Ata të mjerë, shtëpitë dhe drithi i të cilëve janë shkrumbuar, do të vdesin urie nëse nuk i ndihmon ndokush. Po përpiqem të ngrej streha për fëmijët. Ah të mjerët vogëlushë me ata sy të trishtë. Po kështu dhe ato gra që s’kanë asgjë për tu dhënë…“ Pikërisht në këtë kohë Rajmondi ngriti dhe një furrë buke.

Një dashuri e çuditshme e kishte lidhur me këta njerëz që nuk i kërkonin asgjë Zotit të tyre veç të jetonin në paqe në trojet e tyre të lashta dhe larg luftrave.

Tani, pas më shumë se një shekulli përpiqem të imagjinoj atë skenë prekëse në Skelën e mjerë, kur ajo furrë e vogël prej balte filloi të prodhojë bukët e para për ata njerëz të uritur. Me paratë e qylymave që punonin ato gra dhe që shiteshin në Korfuz e Londër, Rajmondi blinte miellin që të prodhohej buka e tyre, pasi në ato kohë lufte fushat ngado ishin të shkretuara dhe dergjeshin në zi.

Vetë jeta dhe fëmijëria e tij e varfër e kishin mbushur shpirtin e këtij njeriu më një humanizëm të skajshëm.

Më së fundi pas gjashtë muajsh, përballë asajtragjedie të madhe të këtij populli dhe jetës që përsëri po lulëzonte, Isadora e ndjeu se dhe tek ajo po lindëte përsëri dashuria për jetën dhe artin, për skenën.

Një dëshirë e çuditshme e kapi për të rendur drejt skenave të Parisi. Kështu, një ditë, Rajmondi me Penelopën e përcollën në korfuz ku me një anije ajo u nis drejt Italisë prej nga do të shkonte drejt Marsejës.

Rajmondi u kthye përsëri në skelë të vazhdonte jetën më atë popull që pas kaq vuajtjesh po shikonte disa ditë të bardha.

Pikërisht në këtë periudhë Rajmondi do të shoqëronte ambasadorin amerikan që ishte në Athinë gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Ishte Rajmondi që e priti në Korfuz dhe e shoqëroi në Vlorë e Durrës për të takuar krerët e qeverisë së re shqiptare për të parë nga afër gjendjen e vërtetë të këtij vendi të vogël që orë e çast kërcënohej nga synimet shoviniste të fqinjëve të saj.

Vallë a e kishin takuar Ismail Qemalin? Me cilët qeveritarë të tjerë ishin takuar? Në atë kohë Komisioni Ndërkombëtar i kontrollit vazhdonte inspektimet e tij dhe ata padyshim do të jenë takuar me të.

Kjo vizitë e ambasadorit amerikan për Shqipërinë ishte vendimtare, pasi raportet e ambasadorit do të ndikonin në vendimet e mëpasme të Amerikës për të mbrojtur trojet shqiptare.

Disa muaj më vonë edhe Rajmondi u nda me banorët e Skelës për tu larguar përfundimisht. Padyshim që do të ketë diçka prekëse për banorët e kësaj qyteze ndarja me këtë njeri të madh. Nga Shqipëria, Rajmondi zbarkoi përsëri drejt Parisit, metropolit të kulturës së botës. Ai s’do të kthehej më kurrë në Shqipëri.

Në librin me kujtime “Autobiografia e Alice Toklas”, Gertrude Stein, mike e afërt në ato vite me Rajmond Duncan, shkruante:”… Në këtë kohë, Rajmondi, vëllai i Isadora Duncan, mori me qera një atelier në rue de Fleurus.

Ai sapo ishte kthyer nga udhëtimi i parë në Greqi dhe kishte sjellë me vete një greke si dhe rroba që veshnin grekët. Punonte si agjent publiçiteti i Emma Nevada, e cila atë kohë bënte një turne me Pablo Casals, violonçelist që atë kohë ishte i panjohur.

Familja Duncan kishte filluar lidhjen shpirtërore me poezitë e Omar Khajam dhe ende merrej me të. Ata akoma nuk e kishin bërë Greqinë e vjetër të tyren. Pastaj erdhën dhe u vendosën në Paris në Rue de Fleurus, kohë kur iu kushtuan Greqisë.

Isadora ishte disi e ftohtë ndaj gruas greke të vëllait të saj, ndoshta pse e gjykonte si jo moderne. Por Rajmondi s’kishte asnjë të ardhur dhe gruan e kishte shtatzënë. I dhamë qymyr për tu ngrohur dhe një karrige, ku Penelopa të mund të ulej.

Pjestarët e tjerë të familjes uleshin mbi ca arka dërrasash. Ata kishin dhe një mike tjetër që i ndihmonte, Kathleen Bruce, një angleze shumë e bukur dhe tepër sportive, e cila ishte skulptore. Më vonë ajo do të martohej me Scott, zbuluesin e Polit të jugut por mbeti vejushë pas vdekjes së tij. Edhe ajo në këtë periudhë nuk

kishte para dhe çdo mbrëmje, gjysmën e ushqimit të saj ia jepte Penelopës, e cila më së fundi lindi një fëmijë që u quajt po Rajmond, sepse ditën që vëllai im dhe Rajmondi shkuan në bashkinë e Parisit të deklaronin lindjen e fëmijës ata ende nuk kishin zgjedhur një emër, dhe kështu e quajtën Rajmond.

Por tani atë e thërrasin Menalkas. Por duhet të jetë diçka e gëzueshme për të që emri i tij i vërtetë është Rajmond. Një ditë, Rajmondi, Penelopa dhe motra e saj e veshur si parisiane, bashkë me një grek shtatlartë me një fytyrë të nxirë nga dielli, kishin ardhur për darkë te ne.

Kur hyri, greku që po shikonte tablotë nëpër mure tha duke qeshur: «Unë jam një grek, d.m.th. se kam një shije të vërtetë. Këto tablo janë të neveritshme!»… Që nga ajo ditë Rajmondi me gruan, kunatën, dhe kushëririn grek nuk u dukën më në shtëpinë tonë në Rue de Fleurus…»

Që nga ajo kohë Rajmondi nuk do ta linte më Parisin. Me këtë qytet u lidh gjithë jeta e mëpasme e tij: arti, letërsia, bota intelektuale franceze e botërore, humanizmi dhe idetë utopike të një shoqërie rë re e solidare.

Leximet e Platonit, Sokratit dhe Marksit i kishin hapur horizonte të reja. Që në fillim ai i mbështeti korrentet e reja letrare e artistike që lindën në Francë pas Luftës së Parë Botërore, duke filluar me dadaistët, surrealistët, etj. Krijimi i Akademisë mblodhi rreth vetes artistë e intelektualë të njohur.

Ja pse dhe Orson Wells do ta zgjidhte si një nga personazhet spikatëse të botës amerikane në Paris, të cilin do ta intervistonte dhe do t’a vizitonte në Akademinë e tij. Ky film u shfaq në vitin 1955 dhe pati një jehonë të jashtëzakonshme me xhirimet e ndryshme, ku shohim dhe personazhe të tjerë si Jean Cocteau, Beauvoir, Juliette Greco, etj.

Në moshën 73 vjeçare, Rajmond Dunkan hodhi idenë që diku në mes të Atlantikut të krijohej një qytezë simbolike “New-Paris-York”, si ideal i bashkëpunimin internacional ndëratlantik.

Rajmond Dunkan vdiq në Paris në vitin 19……..Me rastin e 100 vjetorit të Akademisë së krijuar në Paris, në shumë veprimtari u kujtua roli humanist i Dunkanit. Një medalion u krijua me portretin e tij.

Qytetarët e sotëm të Sarandës apo çdo shqiptar, duhet ta njohin historinë e këtij njeriu dhe duhet ta përkujtojnë këtë njeri humanist që në ditët më të vështira u gjend pranë tyre, pranë tragjedisë së një populli.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe