Automjetet do të kontrollohen për shkarkimet e gazrave në ajër edhe pasi kanë kaluar kolaudimin.
Ministria e Mjedisit deklaron se në rast se do të konstatohet se janë bërë abuzime gjatë kolaudimit dhe nuk janë respektuar standardet, atëherë do të ketë penalizime.
Inspektoriati i Mjedisit do të nisë kontrolle në terren për të vlerësuar nivelin e shkarkimit të gazrave nga automjetet edhe nëse ato kanë kaluar kolaudimin.
Drejtoresha në Ministrinë e Mjedisit, Klodi Marikaj, sqaron se nuk do të ketë dy kolaudime në vit por më shumë kontroll ndaj automjeteve që qarkullojnë dhe ndotjes që shkaktojnë./
Rikontrolli do të bëhet pa pagesë.
“Pas daljes nga kolaudimi të mos rezultojë me katër apo pesë, do të thotë që është kryer një proces, po themi, mashtrimi nga këto institucione të cilat bëjnë procesin e kolaudimit dhe kjo nënkupton, në bazë të ligjit dhe në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, që të gjitha subjektet që bëjnë abuzime të tilla, do t’i nënshtrohen masave administrative, të shoqëruara edhe me kosto financiare.”
Në lidhje me vendimin për ndalimin e makinave të prodhura para 2008, Drejtoresha sqaron se ka si synim mbrojtejne mjedisit një kërkesë e përsëritur edhe nga BE.
“Nuk ka qenë mirëfilli procesi i ndalimit të automjeteve, apo ndalimit të automjeteve, por ka patur për qëllim masat që duhen për të reduktuar shkarkimet që ndodhin në ajër”.
Që prej 1 janarit, në Shqipëri nuk do të lejohet importi i makinave të vjetra , të cilat duhet të plotësojnë kriteret e marrëveshjes ‘Euro5’.