MENU
klinika

Nga The Economist

INTERPOL, organizata që ‘trazoi’ gjithë botën…

23.11.2018 - 16:04

Mund të jetë subjekti i një filmi triler. Menjëherë pasi zbriti në Kinë, kreu i një organizate ndërkombëtare për luftimin e krimit dërgon një emoji me thikë te gruaja e tij. Minuta më vonë, ai zhduket. Në javët vijuese, një rus me lidhje me një regjim autoritar bëhet gati të marrë kontrollin e organizatës, duke shqetësuar gjithë globin. A është e gjitha kjo trillim? Jo, është Interpoli.

Por çfarë është Interpoli dhe pse ka shkaktuar kaq shumë polemika?

Themeluar në vitin 1923, Interpol është një organizatë ndërkombëtare policore e përbërë nga 194 vende anëtare. Nuk është forcë policore në kuptimin tradicional, agjentët e saj nuk janë në gjendje të arrestojnë kriminelët.

Në vend të kësaj, është më shumë një rrjet i shkëmbimit të informacionit, duke siguruar një mënyrë që forcat policore kombëtare të bashkëpunojnë në mënyrë efektive dhe të trajtojnë krimin ndërkombëtar duke filluar nga trafikimi i qenieve njerëzore dhe terrorizmi deri te pastrimi i parave.

Organizata, me seli në Francë, vepron në bazë të të dhënave kriminale që përmbajnë gjurmë gishtash, mostra të ADN-së dhe dokumente të vjedhura.

Funksioni tjetër kryesor i Interpolit është lëshimi i njoftimeve: deklaron për personat e humbur apo të kërkuar. Më i njohur nga këto është “Njoftimi i Kuq”, një njoftim që një shtet anëtar do të donte që dikush të arrestohej. Shtetet nuk janë të detyruara të ndjekin këto njoftime, por shpesh i trajtojnë ato si një urdhër për arrestimin dhe ekstradimin e dikujt.

“Diffusions” janë një mënyrë tjetër popullore për të kërkuar arrestime përmes Interpolit.

Ndonëse kushtetuta e Interpolit ndalon në mënyrë eksplicite çdo aktivitet me karakter politik, aktivistët e akuzojnë atë për dështimin në zbatimin e këtij rregulli.

Rusia i ka zemëruar të gjithë kur ka kërkuar arrestimin e kundërshtarëve të Kremlinit. Bill Browder, një financier i lindur në Amerikë, u mbajt në Spanjë pas një kërkese të tillë nga Rusia. Ai pretendon se kjo ka ndodhur shumë herë.

Grupet ndërkombëtare gjithashtu kanë akuzuar Kinën, Iranin, Turqinë dhe Tunizinë se abuzojnë me sistemin e njoftimeve Interpol për qëllime autoritare.

Zemërimi ndaj Interpolit arriti kulmin gjatë kësaj jave, kur Aleksandr Prokopçuk, një rus me lidhje të ngushta me regjimin e Putinit, pritej të zgjidhej president i organizatës. Kritikët pretendonin se kështu Putin do të merrte kontrollin e plotë të Interpolit.

Por është e vërtetë që presidenti mbikëqyr vendimet e mëdha strategjike dhe politike të organizatës, edhe nëse roli është kryesisht ceremonial.

Në fund, president u zgjodh një kandidat i Koresë së Jugut, Kim Jong Yang. Aktivistët mund të jenë të gëzuar që zoti Kim mundi kandidatin rus, por ata argumentojnë se nevojiten më shumë reforma. Browder ndërkohë po bën fushatë për të pezulluar Rusinë nga Interpoli krejtësisht.

The Economist