MENU
klinika

Shifra në rritje

Ja sa shqiptarë do të kenë pension privat

26.11.2018 - 13:39

Numri i kontribuesve në fondet private të pensioneve ka arritur në më shumë se 24 mijë në fund të shtatorit. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, që nga fillimi i vitit, numri i kontribuesve është shtuar me rreth 3400 individë ose 16%.

Rritja e numrit të anëtarëve po udhëhiqet kryesisht nga fondi Credins Pensions, që po promovon rëndësinë e investimit në një pension privat edhe përmes rrjetit të kompanisë mëmë, Credins Bank. Credins Pensions ka arritur në afro 15 mijë kontribues dhe mban mbi 60% të tregut, sipas numrit të anëtarëve.

Shtimi i anëtarëve në skemat private të pensioneve është nxitur edhe nga cikli i normave të ulëta interesit në ekonomi. Duke qenë se depozitat bankare ofrojnë kthime të ulëta, shumë individë kanë vlerësuar si një alternativë interesante investimin e kursimeve në një pension privat.

Investimi në një pension privat nxitet edhe me disa stimuj fiskalë, duke ofruar një zbritje të pjesshme nga taksat. Sipas ligjit, këto kontribute përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në masën e 15% të të ardhurave vjetore bruto, por jo më shumë se 200 mijë lekë në vit. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare prej vitesh po kërkon nga qeveria rritjen e incentivave fiskale, me qëllim zgjerimin e këtyre skemave në më shumë kontribues.

Në volume, tregu ende ngelet në përmasa modeste, por me rritje të qëndrueshme nga viti në vit. Totali i aktiveve të fondeve të pensioneve në mesin e këtij viti arriti në rreth 2.2 miliardë lekë, me një rritje me më shumë se 26% që nga fundi i vitit 2017. Për nga totali i aktiveve, kompania më e madhe është Sigal Pensions, me afro 48% të tregut.