Vetëm 860 ndërmarrje në vend kanë Këshill të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë. Sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, deri në fund të vitit 2017 vetëm një pjesë e vogël e ndërmarrjeve që e kanë këtë detyrim ligjor rezulton ta kenë përmbushur atë.
Kjo shifër është rritur në krahasim me vitin 2013, ku rezultonte se KSSHP-të ishin të ngritur në 397 subjekte. Megjithatë, ajo është shumë larg në krahasim me numrin e ndërmarrjeve të regjistruara në vend.
Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga Instituti i Statistikave, në total në Shqipëri operojnë 5902 kompani me 10-49 punonjës dhe 1690 kompani me mbi 50 të punësuar. Praktikisht, referuar këtyre të dhënave nga 7592 kompani, vetëm 860 subjekte e kanë këtë këshill apo thënë ndryshe rreth 11.3% e tyre.
Sipas ligjit “Për sigurinë dhe shëndetin në punë” nëpër ndërmarrje duhet të ngrihet Këshilli i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, i cili ka si mision të kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor dhe të sigurisë së punëmarrësve, si dhe në përmirësimin e kushteve të punës.
Ky këshill është organ partneriteti këshillues me përfaqësues të punëdhënësve dhe të punëmarrësve, të përfaqësuar në mënyrë të barabartë, i cili ka si qëllim këshillimin e rregullt dhe periodik të veprimtarisë së ndërmarrjes, për parandalimin e rreziqeve në punë. Ndërkohë që, përfaqësuesit e këshillit kanë të drejtë të marrin pjesë dhe të analizojnë problemet për parandalimin e rreziqeve në punë në ndërmarrje.
Kompetencat e këtij këshilli lidhen me pjesëmarrjen në vlerësimin, hartimin dhe vënien në jetë të programeve të parandalimit të rreziqeve në ndërmarrje si dhe në nxitjen e nismave për mënyrat dhe procedurat për parandalimin efektiv të rreziqeve, duke i propozuar ndërmarrjes përmirësimin e kushteve dhe mënjanimin e rreziqeve.