Bashkimi Europian ka bërë një deklaratë pas takimit të Këshillit të Stabilizim Asocimit. BE ritheksoi nevojën jetike që Shqipëria të thellojë reformat.
“Shqipëria duhet të konsolidojë progresin e bërë në Reformën në Drejtësi si dhe në procesin e Vetting-ut,” thuhet në deklaratë.
Bashkimi Europian gjithashtu kërkoi rezultate të prektshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
BE-ja rikujtoi Konkluzionet e Këshillit Evropian të Qershorit 2018, në të cilat Këshilli ra dakord që t’i përgjigjej pozitivisht përparimit të mësipërm dhe përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019.
Rrjedhimisht, BE-ja përsëriti nevojën kritike që Shqipëria të ruajë dhe të thellojë ritmin aktual të reformave, të konsolidojë më tej progresin e bërë në reformën gjyqësore, në veçanti përmes procesit të vetting-ut, dhe të shënojë rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave, duke pasuruar rezultatet pozitive që janë arritur në luftën kundër kultivimit të kanabisit gjatë kësaj periudhe.
BE përshëndeti operacionet e mëdha të kohëve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar të kryera nga Policia e Shtetit shqiptar dhe theksoi se është thelbësore të forcohen përpjekjet për konfiskimin e aseteve kriminale si dhe të garantohet ndjekja e duhur gjyqësore e operacioneve të suksesshme të zbatimit të ligjit.Delegacioni i Shqipërisë ritheksoi angazhimin e fortë për të vazhduar të japë rezultate konkrete në agjendën e reformave dhe në veçanti për çështjet që lidhen me shtrirjen e sundimit të ligjit.
Ai theksoi se rezultatet e arritura nga Shqipëria në fushën e sundimit të ligjit përbëjnë një bazë solide për avancimin e mëtejshëm të integrimit në BE, pasi ato krijojnë terrenin për punën e mëtejshme që do të kryhet në kuadër të negociatave mbi kapitujt 23 dhe 24. Këshilli i Stabilizim-Asociimit vuri në dukje se qasja e përforcuar për këto kapituj të negociatave do të rrisë më tej aktivitetin dhe progresin në sistemin gjyqësor, në të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. KSA vuri në dukje se, pas Konkluzioneve të fundit të Këshillit Evropian, Komisioni ka filluar punën përgatitore teknike me palën shqiptare.
BE-ja ritheksoi se dialogu konstruktiv ndërpartiak dhe bashkëpunimi në Kuvendin e Shqipërisë janë thelbësorë për përparimin e mëtejshëm të reformave dhe për qëndrueshmërinë e përgjithshme të angazhimit në procesin e integrimit në BE.
Në këtë kontekst, BE theksoi rëndësinë e ndjekjes në mënyrë të vazhdueshme të dialogut gjithëpërfshirës politik, ndërkohë që avancohet puna teknike në të gjitha komisionet relevante parlamentare, përfshirë atë në Komitetin ad hoc për reformën zgjedhore. BE nënvizoi nevojën që të gjitha palët të gjejnë konsensusin e nevojshëm për të ndryshuar ligjin mbi statusin e gjyqtarëve, i cili do të mundësojë rekrutimin e një numri më të madh kandidaturash të reja për gjyqtarë.
KSA-ja vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon si një partner pro-aktiv dhe konstruktiv, si dhe vazhdimin e linjëzimit të plotë të saj me qëndrimet dhe deklaratat e BE-së në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.
Këshilli i Stabilizim Asociimit përshëndeti gjithashtu pjesëmarrjen e vazhdueshme të Shqipërisë në nismat dhe strukturat rajonale në Evropën Juglindore si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe qëndrimin konstruktiv rajonal. BE përsëriti se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe stabiliteti rajonal janë elementë thelbësorë të procesit të Stabilizim Asociimit.
Takimi u kryesua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, z. Ditmir Bushati. Delegacioni i BE-së u udhëhoq nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë të BE-së, Zëvendës Presidente e Komisionit, znj. Federica Mogherini, Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahn, përfaqësoi Komisionin Evropian.