MENU
klinika

Ndalimi i makinave të vjetra

Konfindustria: Vendim arbitrar, me dëm ekonomik

03.11.2018 - 11:00

Konfindustria vlerëson se vendimi i qeverisë për ndalimin e importit të automjeteve me moshë mbi 10 vjeçare të prodhimit do të godasë me kosto shtesë ekonominë, ndërsa nuk do të sjellë ndikim në përmirësimin e mjedisit.

Sipas Konfindustrisë, është e papranueshme që vendime të tilla me ndikim të thellë te qytetarët dhe bizneset nuk arsyetohen nga vlerësime të plota ekonomiko-financiare shoqëruese, mbështetur në interesin publik në afatgjatë.

Në analizën e Konfindustrisë, ndotja nga shkarkesat e gazrave të automjeteve në masën mbi 95% vjen nga cilësia tepër e dobët e karburanteve jashtë standardeve, që qarkullojnë në tregun shqiptar. Automjetet të asnjë modeli dhe moshe nuk bëjnë përpunim teknologjik të karburantit, ndaj masa e mësipërme e ekzekutivit nuk do të ketë asnjë ndikim në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Qeveria duhet të kishte parësore punën për të kontrolluar dhe përmirësuar cilësinë e karburantit në qarkullim në treg dhe vetëm më pas të sillte vendime, që prekin nivelin ekonomik të drejtpërdrejt të qytetarëve dhe biznesit për më shumë me përfitim publik të dyshimtë.

“Rregulli bazë i lejimit të automjeteve në cdo vend normal është kontrolli i përmbushjes teknike të cilësisë së gazrave të prodhuara dhe jo viti i prodhimit. Gjithashtu, masa e mësipërme praktikisht shënon dështimin zyrtar të koncesionit monopol të kolaudimit të automjeteve, që kushton me miliona euro/vit për qytetarët dhe bizneset. Masa e mësipërme do të rrisi ndjeshëm koston e importit të makinave për qytetarët dhe bizneset shqiptare,” shprehet administrator i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.

Shqipëria është vendi me numrin më të vogël të automjeteve në zotërim në Rajon dhe njëkohësisht 2-3 herë më të ulët sesa mesatarja e vendeve të BE. Shkalla e ulët e motorizimit ndikon drejtpërdrejt në efektivitetin dhe aftësinë konkurruese të ekonomisë kombëtare krahësimisht vendeve të tjera.

Konfindustria, mbështetur në arsyetimin e mësipërm, si zgjidhje optimale do t’i kërkojë zyrtarisht  ekzekutivit rritjen në 5 vjet të vitit të prodhimit të automjeteve të lejuara dhe ndërtimin e masave të prekshme për cilësinë e karburanteve në qarkullim.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN