Viti zgjedhor 2017 shënoi një rritje të fortë të procedimeve të korrupsionit mes zyrtarëve të administratës publike. Sipas të dhënave zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, vepra penale e shpërdorimit të detyrës ka shënuar një kërcim prej 90% krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2017 kanë nisur 331 procedime për këtë vepër, nga 174 në vitin 2017.
Gjithsesi, pavarësisht numrit shumë të madh të procedimeve të nisura, është shumë i vogël numri i rasteve që i janë nënshtruar fazave të mëtejshme hetimore apo që janë çuar në gjykatë për gjykim.
Nga të dhënat e vetë Prokurorisë së Tiranës vihet re që është ulur numri i cështjeve të dërguara për gjykim dhe është rritur numri i çështjeve të pushuara. Nga totali prej 331 procedimesh të regjistruara vetëm 91 raste janë vënë nën hetim, dhe vetëm 32 persona janë marrë në cilësinë e të pandehurit. Në fund të vitit 2017, në total rezultojnë 5 të pandehur rezultojnë nën hetim.
Ndërkohë, të pakta janë procedimet e regjistruara nga Prokuroritë në skallë vendi për vepra që kanë të bëjnë me korrupsionin e nëpunësve shtetërore. Sipas raportit zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme nga të dhënat statistikore vërehet tendenca në ulje e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal “Shpërdorim detyre”, në vitin 2017, prej 4,4 % në krahasim me vitin 2016.
Rezulton se në vitin 2017 ka një ulje të të gjithë treguesve e konkretisht, ulje prej 12,3 % të numrit të procedimeve të regjistruara për vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga punonjësit shtetërorë ose në shërbim publik, në krahasim me vitin 2016 dhe ulje prej 24 % të procedimeve të dërguara në gjykatë.